Zgjedhjet lokale: LV 42-45%, PDK 19-22%, LDK 20-23%, LS-100% dhe AAK 7-10%!

15 tetor 15:19

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Rezultati i përgjithshëm i qartë, për kryetarë komunash, tundues: Kur flitet për rezultatet e zgjedhjeve lokale atëherë thuhet se ato dallojnë nga zgjedhjet e përgjithshme, si për kah specifikat e sidomos ndryshon rezultati i zgjedhjeve. Mendoj se kjo është më shumë e theksuar te vendet që e kanë një demokraci apo elektorat të qëndrueshëm dhe të emancipuar politikisht i cili në zgjedhje lokale më shumë apo kryesisht është i përqëndruar te kandidati e jo te subjekti politik. Pastaj, në Kosovë inercioni i zgjedhjeve të përgjithshme apo lideri i fuqishëm thuaja është përcaktues sidomos për kandidatët për kryetarë të komunave duke i mbuluar ata me kurorë dafinash ndonëse, nëse vlerësohen cilësitë e sidomos mundësitë për zbatim të premtimeve ata nuk meritojnë të stolisen as me therra murrizi. Mirëpo, edhe në Kosovë është një dukuri që është e përbashkët me shumicen e vendeve në botë, me një demokraci mesatare apo klandestine; se partia fituese në zgjedhjet e përgjithshme thuaja në 99% rasteve i fiton edhe zgjedhjet lokale që nënkupton se zgjedhjet e përgjithshme përcaktojnë fatin dhe fituesit e zgjedhjeve lokale dhe jo e kundërta. Për këtë arsye jam i sigurt se LV-ja do t’i fitojë zgjedhjet lokale ndonëse jo me shok rezultatin si në zgjedhjet e fundit të përgjithshme  ku i fitoi mbi 50% të votave. Pastaj, është një kohë relativisht e shkurtër nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme për ta vlerësuar punën e LV-së, si fituese absolute e zgjedhjeve të përgjithshme si dhe për ta marrë veten opozita nga nokauti që e pësuan në këto zgjedhje. Edhe në boks është një rregull që boksieri që e pëson një nokaut i duhet pushim gjashtëmujor për t’u kthyer në pikën zero. Edhe opozita është po në të njëjtin pozicion. LDK-ja ka një qëndrim biseksual politik; në njërën anë rreh gjoks se e ka konsoliduar gjendjen dhe se do të ketë një rikthim të madh kurse, në anën tjetër kurdo që andejpari kalon Albin Kurti, LDK-ja dhe kryetari i saj janë gati t’i lëshojnë brekët poshtë. LDK-ja po mundohet të hajë me dy lugë dhe kjo e dëmton shumë.

PDK-ja është në pozitë më të vështirë për faktin se themeluesit dhe motorët e partisë i ka të arrestuar në Hagë dhe se pikërisht shkaku i zgjedhjeve nuk ka vullnet të lirohen e të mbrohen në liri apo t’iu zëvendësohet masa e arrestit. Pastaj, PDK-së, edhe në gjendje të nokautit të pësuar nga LV-ja dhe nga Gjykata Speciale sikur edhe të atyre që me mish dhe të pashpirt bënë çka u kërkua nga ta e, në shumë raste edhe më shumë, për t’i dërguar në burg në këmbim të posteve, po e godasin edhe nga brenda. Në vend se të përkrahet një kryetar që ka qenë shumë i suksesshëm siç është Ramiz Lladrovci në Drenas, pikërisht nga PDK-ja ia futën pykat duke e minuar nga brenda përmes një kandidati tjetër! E pabesueshme për një subjekt politik që pretendon të rikthehet fuqishëm në skenën politike! Në anën tjetër, pasi me ndihmën e partisë e siguroi një mandat tjetër të deputetit, Bekim Haxhiu -Kamishi i ndezi llullat (indiane) të përçarjes duke dalë haptas kundër Fadil Nurës, si kandidat i PDK-së për Skenderaj dhe në përkrahje të Bekim Jasharit. Madje, këtë e bënë duke manipuluar me ndjenjat e qytetarëve për faktin se po përpiqet të konfrontojë PDK-në dhe Familjen Jashari dhe se ai, si patriot i devotshëm është në gjendje t’i bëjë të gjitha sakrificat në mbrojtje të Familjes Jashari duke përkrahur Bekim Jasharin. Nga këto sakrifica sublime përjashtohet heqja dorë nga posti i deputetit! E pandershme skajshmërisht, partia të ndihmon të bëhesh deputet kurse voton për kandidatin tjetër! Po të dorëhiqej nga posti i deputetit Kamish Haxhiu, para se të dilte në krah të Bekim Jasharit unë do ta merrja Bekim Haxhiun si model të demokracisë i cili nuk korruptohet me asgjë! Mirëpo, në rastin konkret Kamishi mundohet ta dëmtojë PDK-në duke llogaritur se përmes viktimizimit (nëse e përjashtojnë nga PDK-ja) do të rrisë kreditet politike dhe do të bëhet mall i kërkuar nga subjektet tjera politike, gjithnjë duke e ruajtur postin e deputetit. Ky është karakteri manipulativ i një politikani mesatar kosovar!

AAK-ja do ta ruaj elektoratin tradicional kurse në Prishtinë mund të ketë rritje.

Lista Serbe, me Udhëheqësin e Madh, Goran Rakiq i fiton 100% të mandateve dhe do të jetë partia më përfaqësuese e Serbisë në Kosovë!

Nisma Socialdemokrate është duke e kënduar Këngën e Mjellmës duke jetuar me të kaluarën. Madje, po flitet se pas rënies nga sistemi të Viber-it, Netflix-ut, Watsap-it, Microsoft-it dhe platformave tjera, edhe Zafir Berisha do të largohet nga Kosova dhe do të zhvendoset në Sillikon Valli, si ekspert kibernetik! Kjo, pa asnjë dyshim nënkupton vdekjen përfundimtare të Nismës.

Në këto zgjedhje mendoj se Beteja e Stalingradit do të bëhet për Prishtinën. Kush e fiton Prishtinën e fiton pushtetin lokal! Prishtina do të jetë përcaktuese për koalicionet e mundshme për balotazh në qytetet tjera.

Ta bëjmë një shetitje elektorale nëpër Kosovë duke filluar me qendrat e mëdha, për të përfunduar me qytetet më të vogla gjithnjë duke bërë përpjekje të qes fall për rezultatet e mundshme dhe të pamundshme!

  1. Prishtina: Kurrë nuk ka pasur kandidatë më të fortë, më ambiciozë dhe më këmbëngulës gjatë fushatës si këta që po garojnë tani.

LV-ja, ka gjasa reale ta fitojë garën për Prishtinën mbase edhe pa balotazh. Jo se Arben Vitia i ka bindur votuesit se duhet ta votojnë por se i ka bindur Albin Kurti se duhet ta votojnë Arben Vitinë Pra, nuk është këtu vota për Benin por për Albinin dhe LV-në. Kam një përshtypje se Arben Vitia nuk ka pasur vullnet të garojë për Prishtinën e as të jetë ministër.

LDK-ja me kandidatin, thuaja të pavarur, Përparim Ramën po shpreson të hyjë në balotazh e pastaj, në marrëveshje me partitë tjera ta fitojë Prishtinën. Vlerësoj se nëse shkohet në balotazh, më shumë gjasa ka Përparim Rama, se Uran Ismaili. Edhe për të shkuar në balotazh, edhe për ta fituar eventualisht Prishtinën.

PDK-ja e ka një kandidat që bëri fushatë të mirë dhe unike, Uran Ismailin. Nuk e besoj se Urani shkon në balotazh por edhe nëse shkon, kjo nënkupton fitore të sigurt të Arben Vitisë. Jo shkaku i Uranit por shkaku se PDK-ja nuk ka shumë votues në Prishtinë dhe se nuk ka fare disponim që Prishtina të udhëhiqet nga PDK-ja.

AAK-ja, e tëra çka mund të shpresojë në Prishtinë është se mund të rrisë numrin e votuesve si dhe numrin e asamblistëve. Daut Haradinaj ka bërë një fushatë të mirë dhe ka qenë shumë këmbëngulës  dhe befasues në prezantimin e programit por se kjo nuk mjafton që të hyjë në balotazh!

  1. Gjilani: Këtu lufta do të bëhet midis LDK-së dhe LV-së. Partitë tjera janë në cilësinë e shikuesve. Mendoj se do të shkohet në balotazh dhe se gjasat për kryetar të Gjilanit janë 55% me 45% në favor të Lutfi Hazirit.
  2. Ferizaj: Në rrethana normale, Agim Aliu i PDK-së do të duhej të fitonte pa balotazh duke u votuar edhe nga subjektet tjera politike për shkak të punës shumë të mirë që e ka bërë për qytetin. Në rrethanat që i kemi mund të ketë balotazh midis Agim Aliut dhe “Mis Gjyshes” por se në fund fitues do të jetë Agim Aliu.
  3. Prizreni: Në Prizren, thikat elektorale thyhen midis Mytaher Haskukës dhe Shaqir Totajt, i pari kryetar aktual nga LV-ja kurse i dyti pretendent për kryetar nga PDK-ja. Në këtë garë mendoj se favorit është Mytaher Haskuka shkaku se i fiton votat qytetare dhe votat e pakicave dhe komuniteteve joshqiptare. Edhe këtu ka gjasa që të mos shkohet fare në balotazh. Partitë tjera garuese e kanë peshën specifike elektorale të vogël dhe vetëm nëse shkohet në balotazh, do të rritet rëndësia e votës së tyre e që do të mund ta përcaktojë fituesin. Për mua Mytaheri është fitues i mundshëm edhe për një mandat!
  4. Peja: LDK-ja është këtu favorite shkaku se partitë tjera nuk kanë kandidat që mund ta sfidojnë Gazmend Muhaxherin. Edhe këtu ka gjasa që kryetari të zgjidhet në raundin e parë por, edhe nëse hipotetikisht shkohet në balotazh, Gazmend Muhaxheri e fiton edhe një mandat.
  5. Gjakova: Ardian Gjini nga AAK-ja ka gjasa të fitojë qysh në raundin e parë ndaj kandidates së LV-së, Mimoza Kusari. Partitë tjera janë thjesht pjesë e regjistrit të listave për votim. Nëse eventualisht Mimoza Kusari do ta përmbyste rezultatin, kjo do të ishte befasi e madhe për faktin se Mimoza është shkëputur nga Gjakova një kohë të gjatë. Prandaj, larg syve, larg zemrës!
  6. Mitrovica: Këtu do të zhvillohet një luftë e ashpër midis Akademikut Agim Bahtiri dhe Bedri Hamzës, pa titull shkencor. Ka të tillë që e vënë në dyshim kapacitetin intelektual të Agim Bahtirit ndonëse ka përgatitje të lartë akademike

(fakultet të përfunduar) dhe se kapacitetin intelektual si dhe përvojën politike e konsiderojnë përparësi të madhe të Bedri Hamzës. Po si mbijetoi Akademik Agim Bahtiri për dy mandate si kryetar i një qyteti shumë problematik?! Së pari është njeri që krijon kontakte me të gjithë, këndon këngë patriotike, i bien mirë çiftelisë sikur që vallëzon mirë. Krejt këto e kanë afruar me votuesin e vdekshëm duke e bërë të afërt me popullin. Pastaj, përkundër mungesës së përvojës politike, Akademik Agim Bahtiri ka nuhatje të mirë dhe të saktë politike. Kur filloi të fundosej lundra e AKR-së dhe e Behgjet Pacollit, ai hypi në anijen e madhe të LV-së duke u cilësuar nga Albin Kurti si Hasan Prishtina i Mitrovicës. Duke e pasur përkrahjen e Albin Kurtit dhe LV-së duket se është lojtar serioz për të hyrë në balotazh në garë për mandatin e tretë. Sipas parashikimeve dhe disa sondazheve, favorit për ta fituar Mitrovicën është Bedri Hamza. Bindja ime është se nëse shkohet në balotazh, përcaktues për zgjedhje të kryetarit të Mitrovices nuk do të jenë votat e LV-së dhe as të PDK-së por votat e LDK-së.

  1. Podujeva: Gara për Podujevën është midis Shpejtim Bulliqit të LV-së dhe Ekrem Hysenit të LDK-së. Votat e PDK-së do të jenë përcaktuese në rast se shkohet në balotazh. Shpejtim Bulliqi i fitoi zgjedhjet e fundit të parakohshme lokale, pa balotazh për faktin se LV-ja pati një angazhim të jashtëzakonshëm si dhe vet Albin Kurti. Edhe tash Shpejtim Bulliqi e ka përkrahjen e fuqishme të LV-së por se edhe LDK-ja është ringjallur fort në këtë komunë falë kandidatit të saj për kryetar, Ekrem Hysenit, autoritet i dëshmuar në fushën e onkologjisë. Ekrem Hyseni gëzon reputacion të mirë te qytetarët e Podujevës, pavarësisht përkatësive politike dhe kjo mund të jetë përparësi e tij. Do të jetë garë interesante.

Në bazë të punës së mirë që e kanë bërë vlerësoj se Qëndron Kastrati do të duhej të fitonte edhe një mandat në Kamenicë, Sokol Haliti edhe një mandat në Viti, Imri Ahmeti edhe një mandat në Lipjan, Agim Aliu në Ferizaj, Ramiz Lladrovci në Drenas, Xhafer Gashi në Obiliq, Bali Muharremaj në Suharekë, Smajl Latifi në Rahovec dhe  Refki Suma në Han të Elezit. Të presim edhe pak ditë! Uroj të ketë zgjedhje të mira dhe  të qeta, votuesi vendosë për të gjitha!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Drenicës e ka shkatërruar Feronikelin, pasi e mposhti…