Zhgënjim me procesin e KPK-së për kryeprokuror të shtetit

07 prill 2022 | 12:58

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur zhgënjim me procedurën e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të shtetit.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk i ka respektuar rregullat që ky proces të ishte fer dhe transparent.

Më 6 prill, KPK-ja ka dominuar Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit. Emri i tij duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka thënë ai përmes një reagimi të publikuar në llogarinë e vet në “Twitter”.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, po ashtu ka shprehur zhgënjimin për vendimin e KPK-së, duke thënë se kjo nuk është mënyra e “duhur për të ecur përpara”.

Gjithashtu edhe organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë kanë reaguar pas votimit unanim nga KPK-ja për Isufajn.

Nëpërmjet një reagimi të përbashkët, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL, thanë se që prej mesit të marsit kanë publikuar një raport për shkelje gjatë procesit vlerësues të kandidatëve për kryeprokuror. Ata kanë thënë se paneli vlerësues i kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar “duke cenuar meritokracinë e procesit”.

“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni [i organizatave joqeveritare] rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, është thënë në reagim.

Kryeprokurori i Shtetit është pozitë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë Kosovë. Ky post ka një mandat prej shtatë vjetësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Blu Farm" Sh.P.K. me seli në Prishtinë, shpall të pavlefshme…