ZKA-ja konstaton mangësi në menaxhimin e fondeve publike dhe raportimin financiar në RTK

02 qershor 2022 | 15:56

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raportin e  auditimit të  pasqyrave vjetore financiare për  Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për vitin 2021 si dhe Raportin e  auditimit të performancës me temën “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës (RTK)”.

Auditorja e përgjithshme e ZKA-s, Vlora Spanca, lidhur me këto raporte ka theksuar se kërkohen veprime të menjëhershme nga RTK-ja për adresimin e rekomandimeve të dhëna meqë auditimet e kryera në mediumin publik kanë identifikuar mangësi thelbësore lidhur me raportimin financiar si dhe në menaxhimin e fondeve publike të dedikuara për burimet njerëzore dhe programet vendore.

“Fondet publike duhet të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjshmëri të plotë dhe raportimi financiar duhet të reflektojë prezantimin e drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Radio Televizionit të Kosovës”, ka deklaruar Spanca.

Në raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të RTK-së për vitin 2021 është dhënë opinion i kundërt i auditimit, ndërsa për transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të RTK-së  është dhënë konkluzion i kualifikuar.

Çështjet që kanë ndikuar në dhënien e opinionit të kundërt kanë të bëjnë me parregullsitë  në kompensimin e kontratave, mospranimin e letër konfirmimeve nga furnitorët, mënyrën e trajtimit të pasurive të paprekshme, trajtimin jo të duhur të obligimeve ndaj furnitorëve, pagesa të parregullta për shujtat, etj.

Ndërsa çështja që ka ndikuar në dhënien e konkluzionit të kualifikuar ka të bëjë me pagesat e parregullta për shtesat dhe shpërblimet e punëtorëve të RTK-së.

Përderisa çështjet  tjera kyçe të menaxhimit financiar dhe kontrolleve, janë shoqëruar me mangësi  dhe parregullsi siç janë: mos shpalosja e padive gjyqësore, mos prezantimi i plotë i pasurive në regjistrin e pasurive, etj.

Për të adresuar këto çështje, në këtë raport, janë dhënë 17 rekomandime për bordin dhe menaxhmentin e Radio Televizionit të Kosovës.

Ndërsa Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”, ka mbuluar aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Gjithashtu është mbuluar edhe kontraktimi i  programeve të prodhuara vendore nga producentë të jashtëm. Ky auditim përfshinë periudhën 2019-2021.

Auditimi ka konstatuar se kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga ana e menaxhmentit, i ka kushtuar Radio Televizionit të Kosovës keqmenaxhim financiar në vlerë prej 806 898 euro për tre vjet.

Rezultatet e auditimit tregojnë se angazhimi i stafit të rregullt nuk ishte bërë sipas projeksioneve buxhetore dhe nuk ishin respektuar procedurat e rekrutimit. Mbi 70 për qind e angazhimeve të punëtorëve janë lidhur për pozita të rregullta pa një proces transparent dhe konkurrues duke mos shpallur konkurs publik, në anën tjetër këta persona nuk kanë gëzuar të drejtat e punëtorëve të rregullt si pushimin vjetor, shujta etj.

Sistemimi dhe avancimi i stafit të Radio Televizionit të Kosovës është përcjell me mangësi të shumta, në raste të caktuara duke shpërfillur vendimet e Bordit dhe  shkaktuar kosto shtesë. Gjithashtu, nuk është bërë vlerësim i detajuar për nevojat e programeve të jashtme nga drejtorët programor dhe nuk janë marrë për bazë disa nga kriteret për përzgjedhjen e këtyre programeve.

Me qëllim që RTK-ja të krijojë një sistem të përshtatshëm i cili siguron në mënyrë efektive menaxhimin e stafit dhe programeve vendore, në raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”, ZKA-ja ka dhënë nëntë rekomandime për bordin dhe menaxhmentin e RTK-së.

Raportin e plotë të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2021 e gjeni këtu: https://bit.ly/3Q9esUT

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës” e gjeni këtu: https://bit.ly/3PPufb0

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot dhe dje u përfol shumë në rrjetet sociale për…