Zona e ndalim-fluturimit në Ukrainë mund të vendoset nga OKB-ja

12 mars 2022 | 12:18

Nga Olena Tregub  “Center for European Policy Analysis

Në më pak se 2 javë, 2 milionë refugjatë janë larguar për shkak të luftës në Ukrainë, e shkaktuar nga një pushtim i paprovokuar ushtarak rus.

Të paktën 406 civilë janë vrarë dhe 801 janë plagosur, sipas vlerësimeve të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ndërsa shifrat aktuale janë dukshëm më të larta.

Përballë rezistencës së pamëshirshme nga burrat dhe gratë ukrainase, Rusia e shndërroi shpejt “operacionin e saj special ushtarak” në granatime pa dallim ndaj zonave të banuara, dhe në bombardimin e rrugëve të evakuimit nga qytetet e rrethuara të Ukrainës.

Forcat ruse pushtuan dhe i vunë zjarrin për pak kohë centralit më të madh bërthamor të Ukrainës, duke rritur rrezikun e një katastrofe bërthamore. Përballë pushtimit rus, vendet perëndimore kanë ofruar tashmë një ndihmë të madhe ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën.

Por këto përpjekje, kanë dështuar të ndalojnë apo edhe të zbusin agresionin e vazhdueshëm të ushtrisë ruse. Në këto rrethana, qeveria ukrainase dhe qytetarët ukrainas, e shohin zonën e ndalim-fluturimit (NFZ) mbi territorin ukrainas, si një faktor vendimtar që mund ta kthejë “peshoren” në favor të tyre.

Deri më tani, ky apel i është drejtuar NATO-s si organizatë e sigurisë kolektive, por aleanca vazhdon që ta përjashtojë këtë mundësi. Një argument kyç kundër zbatimit të saj, është se kjo lëvizje do ta tërhiqte NATO-n në një luftë direkte me Rusinë, e cila mund të përshkallëzohej më tej në një konflikt bërthamor global.

Megjithatë, ndjenja publike në shumë vende, po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt mbështetjes së një zone të ndalim-fluturimi në Ukrainë, me 74 për qind të amerikanëve që janë në favor të veprimit të NATO-s. Vendimi i aleancës nuk është pa kosto.

Refuzimi i saj për të vendosur një “ombrellë ajrore”, e dëmton besueshmërinë e saj si institucioni kryesor që garanton sigurinë kolektive evropiane. Dhe pasi aleanca përjashtoi mundësinë e një NFZ, janë përshkallëzuar taktikat e Rusisë për të kërcënuar, përçarë dhe izoluar vendet perëndimore.

Çdo veprim për të mbështetur Ukrainën, qoftë edhe një ndihmë jo-ushtarake, priret të quhet një akt lufte dhe një përshkallëzim, siç e kemi parë me retorikën e Moskës në lidhje me sanksionet ekonomike. NATO nuk duhet ta kishte lejuar veten që të bëhej pjesë e manualit të lojërave të Putinit, sipas të cilit është ai, dhe jo Perëndimi, i vendos “vijat e kuqe”.

Megjithatë ka ende disa mënyra, përmes të cilave NATO mund të krijojë të paktën një zonë të kufizuar të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, për të mbrojtur korridoret humanitare dhe infrastrukturën bërthamore.

Kjo nismë mund t’i komunikohet Rusisë, duke deklaruar se aleanca po mbron vetëm zonat civile dhe infrastrukturën kritike për qëllime humanitare, dhe se nuk po i bashkohet konfliktit më të gjerë midis Rusisë dhe Ukrainës. Shumë kundërshtarë të zonës së ndalim-fluturimit, argumentojnë rrezikun e përdorimit të Nenit 5, në rast se do të rrëzohej nga rusët ndonjë avion i NATO-s.

Megjithatë, ka mënyra ligjore për ta zbutur këtë rrezik, pasi ky nen është krijuar për rastet e shkeljeve shumë të rënda të sigurisë kombëtare, dhe jo për incidente taktike. Incidente të tilla, kanë ndodhur tashmë gjatë luftës në Siri, pa pasur asnjë pasojë ushtarake.

Një zonë e ndalim-fluturimit, nuk do ta bënte NATO-n një palë të drejtpërdrejtë në luftë, dhe zbatimi i saj do të ishte zgjidhja më e shpejtë dhe më e mirë për t’i mbrojtur civilët nga sulmet ajrore ruse. Strategjia ruse e Sigurisë Kombëtare, e përshkruan zyrtarisht NATO-n si një kërcënim për ekzistencën e vendit.

Është e rëndësishme të theksohet se OKB-ja dhe OSBE-ja, cilësohen në të njëjtat dokumente si “mekanizma ekzistues për garantimin e sigurisë ndërkombëtare”. Pra të paktën zyrtarisht, Rusia e njeh autoritetin e këtyre organizatave ndërkombëtare.

Moska ka deklaruar se përfshirja e NATO-s në luftë, jo vetëm që do të legjitimonte më tej vazhdimin e “operacionin ushtarak special”, por do të ofronte një pretekst për përshkallëzimin e konfliktit, përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Për të shmangur përshkallëzimin e e konfliktit, do të ishte e arsyeshme të merrej në konsideratë krijimi i një zone të ndalim-fluturimit të garantuar nga OKB-ja. Shtetet anëtare të OKB-së, mund të formojnë një koalicion të gatshëm për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga sulmet e agresorit rus.

Gatishmëria e vendeve që përfaqësojnë rajone të ndryshme për të siguruar NFZ në Ukrainë, do ta zhvendost vëmendjen nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO. Po si mund të funksionojë kjo? Duke përdorur nenet 5 dhe 6 të Kartës së OKB-së, duhet të pezullohet anëtarësimi i Rusisë në OKB dhe veçanërisht në Këshillin e Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mund të miratojë më pas zonën e ndalim-fluturimit sipas nenit 42 të Kartës së OKB-së. Në përputhje me nenin 47 të Kartës së OKB-së, duhet të ngrihet Komiteti i Shtabit Ushtarak. Sipas neneve 45 dhe 49 të Kartës së OKB-së, krijohet koalicioni që garanton zonën e ndalim-fluturimit.

NFZ është e projektuar në mënyrë të tillë, që të mund të sigurojë mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës, dhe të shmangë përshkallëzimin e aktiviteteve ushtarake në territorin e shteteve të tjera.

Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të zbatuar vendosjen e një zonë të ndalim-fluturimit, duke përfshirë përjashtimin e avionëve armiq brenda një zone të përcaktuar qartë. Operacionet e vetme në terren, do të ishin shkatërrimi i mbrojtjes ajrore të armikut, që përbën kërcënim për avionët aleatë.

Ndërkohë, ka shumë elementë të tjer që duhet të trajtohen nga komandantët ushtarakë dhe udhëheqësit e tyre politikë. Një zonë e ndalim-fluturimit, nuk i zgjidh të gjitha problemet emergjente që ka sot Ukraina, civilët, të cilët janë duke u shënjestruar nga raketat dhe artileria ruse.

Megjithatë, ajo do të bënte diferencën. Presidenti Zelenskyy ka deklaruar se forcat e armatosura të Ukrainës, janë në gjendje të luftojnë kundër forcat tokësore ruse, por jo ndaj qindra avionëve që ka vendosur Moska afër kufijve.

Psikologjikisht dhe ushtarakisht, do të jetë e vështirë që trupat ruse të përparojnë në territorin ukrainas pa pasur epërsi në ajër. Kjo është një detyrë e vështirë, por alternativa është shkatërrimi total i Ukrainës, gjenocidi, dhe një katastrofë humanitare dhe mjedisore.

Këto pasoja, do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në rezultate shumë më serioze në Evropë në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme. Veprimi tani, nuk është vetëm një akt humanitar, por gjithashtu edhe një investim për të ardhmen e kontinentit evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aeroport ushtarak në jug të Kievit është qëlluar nga…