ZONAT E MBROJTURA DHE TË DREJTAT E PAMBROJTURA

30 maj 2018 | 14:43

Reagim i KMDLNj-së

Ditëve të fundit ishin dy ngjarje që shkaktuan reagime të vendorëve dhe ndërkombëtarëve dhe të cilat u trajtuan dhe interpretuan nga këndvështrime thuaja diametralisht të kundërta. Rasti i parë ishte vazhdimi i rregullimit të rrugës ekzistuese që e lidhë Pejën me Malin e Zi kurse rasti i dytë ishte reagimi i banorëve të fshatit Potërq të Klinës gjatë vizitë të serbëve të zhvendosur pronave të tyre  dhe kishës, të shndërruara në rrënoja. Ndërprerjen e punëve në rregullimin e rrugës ekzistuese e kërkoi, në emër të Manastirit në Deçan, at Sava Janjiq kurse po të njëjtën gjë e kërkuan OSBE dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Arsyetimi i kërkesës për ndërprerje të punimeve ishte se po cenohet zona e mbrojtur, ku gjendet edhe Manastiri i Deçanit sikur edhe rruga në të cilën  po punohet.

Ndërkaq, pala kosovare deklaron se rruga nuk është në perimetrin e zonës së mbrojtur dhe rrjedhimisht kërkesa e Sava Janjiqit dhe Kishës ortodokse serbe është e pabazuar. Me Pakon e Ahtisarit janë përcaktuar zonat e mbrojtura dhe në bazë të kësaj institucionet e Kosovës janë pajtuar t’i respektojnë këto zona, thuaja si zona të pavarura sikur që janë përcaktuar veprimet e lejuara dhe të palejuara, nga të dyja palët. Manastiri i Deçanit ka pasur një kontest pronësorë me komunën e Deçanit dhe Gjykata Kushtetuese ia ka njohur këtij manastiri të drejtën mbi pronat e kontestuara. Me kërkesë të Kishës ortodokse serbe dhe Manastirit të Deçanit, banorëve të kësaj ane i është ndaluar çdo ndërtim kur këta e kanë vlerësuar se paraqet pengesë apo shqetësim për murgjit dhe personelin e këtij manastiri dhe për këtë gjithmonë e kanë pasur përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Manastiri i Deçanit, para dhe sidomos gjatë luftës më së paku ka qenë vatër shpirtërore për besimtarët ortodoksë por ka qenë bazë paramilitare, policore dhe ushtarake ku është strehuar armatimi dhe, sidomos gjatë luftës dyshohet se aty janë mbajtura dhe keqtrajtuar shqiptarët. Menjëherë pas përfundimit të luftës, në një informatë me këtë përmbajtje të KMDLNj-së pati reaguar pikërisht Sava Janjiq duke e denoncuar KMDLNj të OSBE e cila asnjëherë nuk ka pasur qëndrim neutral dhe të drejtë pas së cilës, OSBE ka kërkuar që KMDLNj ta përgënjeshtrojë publikisht këtë informatë duke i kërkuar falje publike Sava Janjiqit ose, në të kundërtën, do të përballet me një ballafaqim para gjykatës. KMDLNj, as nuk i ka kërkuar falje publike Sava Janjiqit, as e ka përgënjeshtruar informatën duke pritur që të përballet në gjykatë por se rastin e kanë mbyllur ata që e patën hapur, OSBE.

KMDLNj, në atë kohë Sava Janjiqin e ka konsideruar si paramilitar kishtar që ka kontribuar në eskalimin e dhunës ndaj shqiptarëve sikur që edhe sot e konsideron si penguesin më të madh të normalizimit të marrëdhënieve midis Manastirit të Deçanit dhe banorëve të kësaj ane, duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke denoncuar banorët se kinse po e pengojnë atë dhe personelin e manastirit në punët e tyre. Edhe sot Sava Janjiq, nën petkun e priftit “të moderuar” dhe bariut shpirtërorë, në mënyrë strikte po e zbaton politikën e Serbisë në Kosovë, duke e shndërruar Manastirin e Deçanit në një oazë ekstraterritoriale. Për rastin konkret, KMDLNj kërkon të sqarohet nëse rruga ekzistuese ku kanë filluar punimet është në kuadër të zonës së mbrojtur apo nuk është. Nëse është pjesë e zonës së mbrojtur atëherë ligjërisht Kisha ortodokse serbe dhe Sava Janjiq, OSBE dhe Ambasada amerikane kanë të drejtë në kërkesat e tyre për ndërprerjen e punimeve ndërsa, nëse kjo rrugë është vetëm 1mm., jashtë zonës së mbrojtur, atëherë punimet duhet të vazhdojnë.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut, çdo pengim i lirisë së lëvizjes, për të gjithë dhe pa bërë dallime, është shkelje flagrante e këtyre të drejtave si dhe konsiderohet e papranueshme. Në disa raste e sidomos sa i përket Manastirit të Deçanit, të drejtat e njeriut janë më të rëndësishme se një marrëveshje politike apo Pako, e kujtdo qoftë ajo e që dhunshëm është bërë pjesë e Kushtetutës. Banorët e kësaj ane kanë nevojë dhe të drejtë t’i shfrytëzojnë ato rrugë dhe hapësira për të lëvizur dhe punuar, pa i penguar të tjerët, në rastin konkret personelin e Manastirit të Deçanit sikur që Manastiri i Deçanit nuk mund të ekzistojë i izoluar, pa përkrahjen e banorëve të kësaj ane apo duke punuar kundër interesave të këtyre banorëve. Pikërisht në këtë rast duhet fleksibilitet dhe tolerancë.

Ndërkaq, banorët e kësaj ane nuk mund të kërkojnë përgjegjësi nga Manastiri i Deçanit, OSBE apo Ambasada amerikane për këto zona  të mbrojtura por duhet të kërkojnë përgjegjësi nga politikanët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm kosovarë që i kanë pranuar këto zona si të tilla për ta lënë një problem që gjithmonë mund të shpërthejë në dhunë sidomos kur i kemi dy palë jobashkëpunuese dhe që nuk lëvizin nga pozicionet që i mbajnë. Pastaj, e kemi një vendim të Gjykatës  Kushtetuese që duhet të respektohet aq më parë që nuk ka pasur dhe nuk ka mundësi tjetër ankimimi.

Rasti i dytë është reagimi i banorëve të fshatit Potërq të Klinës që e kundërshtuan vizitën e ish-bashkëfshatarëve të tyre serbë në pronat dhe kishën e shkatërruar,  me pretekstin se ata kanë kryer krime duke vrarë 15 shqiptarë të këtij fshati. Pas kësaj proteste banorët që protestuan hynë në një përleshje krejtësisht të panevojshme me policët e Kosovës. KMDLNj ua përkujton të gjithëve se liria e lëvizjes, si e drejtë elementare e njeriut, posedimi dhe shfrytëzimi i pronës private, si e drejtë e patjetërsueshme është e drejtë e njeriut si dhe të drejtat fetare janë të drejta të garantuara të njeriut të mbrojtura me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut. Këto të drejta përbëjnë universalitetin e këtyre të drejtave dhe si të tilla janë të pandashme.

Në këtë kontekst, të gjithë personat e zhvendosur, pa dallime etnike etj., dhe që, për shkaqe të ndryshme janë detyruar t’i braktisin pronat e veta, kanë të drejtë të kthehen në këto prona, t’i shfrytëzojnë papengueshëm ato dhe kthimi i tyre nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Ata për të cilët ka prova se kanë bërë krime lufte apo se i kanë ndihmuar këto krime, duhet të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë por ky fakt nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim që të mos lejohet kthimi i personave të zhvendosur.

Zhvillimet në fshatin Potërq të Klinës KMDLNj i konsideron krejtësisht të panevojshme dhe përpjekja për të penguar kthimin e personave të zhvendosur është i papranueshëm dhe nuk mund të arsyetohet me asnjë pretekst. KMDLNj përkrah të drejtën e kthimit të të gjithë personave të zhvendosur duke mos bërë dallime në baza etnike, gjinore, politike, statusit social etj., si e drejtë elementare e njeriut dhe e patjetërsueshme. E drejta për kthim të personave të zhvendosur dhe shfrytëzimit sipas vullnetit të pronave të veta nuk mund të bëhet në mënyrë selektive ku insistohet që serbët e zhvendosur duhet të kthehen kurse shqiptarëve u mohohet kjo e drejtë për kthim në veri të Kosovës! Ky respektim dhe zbatim i universalitetit të drejtave të njeriut është njëri ndër kushtet kryesore në mos edhe kryesori për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Rejhan Vuniqi, është…