Zonat ekonomike mundësojnë zhvillim më të madh të bizneseve

05 qershor 2018 | 14:27

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se vendi ynë ka pasur nevojë për krijimin e zonave ekonomike, të cilat do të bëjnë të mundur zhvillim më të madh të bizneseve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hasani ka thënë se MTI-ja ka ndërmarrë shumë hapa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë.

Ai ka paralajmëruar se në cilëndo fushëveprimtari që prodhuesit ankohen se po dëmtohen nga importi, MTI-ja do të ndërmarrë masa për mbrojtjen e tyre.

Hasani ka bërë me dije se MTI-ja ka nisur reformën për ristrukturimin e inspektorateve në nivel vendi, e cila në fund do të rezultojë me mënyrën më të mirë të funksionimit të tregut dhe garantimit të standardeve.

Duke folur për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri, ai ka thënë se ka rritje të shkëmbimit tregtar, po prapëseprapë mbetet ende i ulët

 “Epoka e re”: Z. Hasani, cilat janë pritjet e juaja sa i përket funksionimit të zonave ekonomike
Hasani: Vendi ynë ka pasur nevojë për krijimin e zonave ekonomike. Mendoj se përmes krijimit të zonave ekonomike do të bëjmë të mundur zhvillim më të madh të bizneseve vendore. Tashmë siç jeni edhe të njoftuar, kemi marrë vendim për krijimin e zonës ekonomike në Vushtrri. Kemi paralajmëruar edhe krijimin e zonave ekonomike në Prizren dhe Malishevë, si dhe vazhdimin e investimit në Zonën Ekonomike në Viti dhe Suharekë. Që prej ardhjes sime në krye të MTI-së vazhdimisht jam në kontakt me bizneset anembanë vendit dhe në bisedat me tregtarët kemi parë se në këto vende janë shumë të nevojshme zonat ekonomike. Duke themeluar këto zona do të bëjmë lehtësime në punën dhe veprimtarinë e bizneseve të vendeve përkatëse. Bizneset tona kanë nevojë për stimulime e mbështetje. Duke i mbështetur bizneset, ne mundësojmë edhe krijimin e vendeve të reja të punës që janë mbase të nevojshme për qytetarët tanë. Në vazhdimësi do të ndihmojmë biznesin vendor, pasi vetëm kështu mund të arrijmë një zhvillim më të mirë ekonomik, zbutje të varfërisë dhe krijim të mirëqenies për qytetarët tanë.

“Epoka e re”: Keni thënë se viti 2018 do të jetë vit i investimeve. Sipas jush, në cilët sektorë pritet të kemi investime?
Hasani: Ligji për investime strategjike hap një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe është një mundësi e mirë për vendin tonë. Ka shumë mundësi në sektorë të ndryshëm për të investuar në Kosovë. Ne shpresojmë se me këtë ligj po u krijojmë mundësi investitorëve të interesuar të investojnë në Kosovë dhe kështu të arrijmë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Jemi duke i parë mundësitë që projektet e tilla të sjellin sa më shumë mundësi punësimi. Tashmë ne vetëm se i kemi aplikuesit e parë dhe jemi duke punuar që të tërheqim sa më shumë investitorë strategjikë.

 “Epoka e re”: Meqë jemi në sezonin veror, a keni marrë ndonjë kërkesë për mbrojtje të prodhuesve vendorë dhe a pritet të kemi sajim të problemeve, sidomos me Shqipërinë, sa iu përket prodhuesve të patates dhe verërave?
Hasani: Ne deri më tani kemi marrë shumë hapa në drejtim të mbrojtjes së prodhuesve vendorë. Kemi marrë vendim për miellin, blloqet dhe qumështin. E kam thënë edhe herëve të tjera, se në cilëndo fushëveprimtari që prodhuesit ankohen se po dëmtohen nga importi dhe arrijmë në përfundim se ata po dëmtohen, do të ndërmarrim masa për mbrojtjen e tyre, pavarësisht nëse është Shqipëria apo cilido vend tjetër. Për mua si ministër i Tregtisë dhe Industrisë në rend të parë është mbështetja e prodhuesve tanë. Ky është prioriteti gjatë mandatit tim. Gjithashtu, kemi qenë mjaft të zëshëm në drejtim të institucioneve të Shqipërisë dhe disa herë kemi kërkuar nga to që të gjitha barrierat që po i hasin prodhuesit tanë për të eksportuar në Shqipëri të eliminohen. Disa herë u kemi dërguar shkesa institucioneve shqiptare, me qëllim që të hiqen të gjitha barrierat tarifore dhe jotarifore. Presim që institucionet e shtetit shqiptar të reflektojnë.

“Epoka e re”: Në Kuvendin e Kosovës u propozua rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje-dalje të shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet pikave kufitare Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë. Sipas jush, sa do t’i ndihmonte kjo lehtësimit të shkëmbimeve tregtare në mes të dy shteteve?
Hasani: Para disa javësh kemi mbajtur një konferencë të përbashkët në mes të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtarë Shqiptarë, në të cilën kemi diskutuar për heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. I kemi identifikuar problematikat që prodhuesit kombëtarë të dy shteteve hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Tashmë ka një rritje të shkëmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova ka 50 milionë euro eksport në Shqipëri por, krahasuar me potencialin tonë, ky është një volum ende i ulët. Po ashtu, besoj se do të hasim në gatishmërinë e shtetit shqiptar për implementimin e marrëveshjeve që kemi në mes të dy vendeve që të krijojmë një klimë të përshtatshme për të bërit biznes për të dy vendet. Mbështetja ime institucionale si ministër i MTI-së nuk do të mungojë asnjëherë për prodhuesit e të dy vendeve. Për më tepër është detyrë e jona, edhe e Qeverisë së Shqipërisë, që ta mbështesim krijimin e një partneriteti të fuqishëm të bizneseve. Ne jemi duke punuar shumë si ministri që produktet të jenë sa më cilësore edhe për tregun evropian.

 “Epoka e re”: Debalanci tregtar si dhe diferenca e madhe në mes të sektorit të tregtisë dhe prodhimit mbetën evidente. Çfarë mundë të presim gjatë mandatit tuaj në këtë drejtim dhe si e shihni bashkëpunimin tregtar të Kosovës me rajonin?
Hasani: Jemi të vetëdijshëm që kemi disbalancë tregtare, por jemi duke punuar shumë për krijimin e një infrastrukture të cilësisë duke përfshirë, akreditimin, standardizim dhe metrologjinë, të cilat do të ndihmojnë drejtpërdrejt në rritjen e eksportit. Kemi shumë punë për të bërë që kompanitë tona të përgatiten për tregun e jashtëm. Në këtë aspekt ndihmë të madhe po na japin, sidomos në asistencë teknike, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian.

 “Epoka e re”: Mungesa e inspektorëve të mjaftueshëm po paraqet vështirësi. Çfarë numri inspektorësh duhet të kemi në mënyrë që të mbrohen të drejtat e konsumatorit?
Hasani: Ne kemi nisur reformën për ristrukturimin total të inspektorateve. Kemi kaluar koncept-dokumentin për reformën e thellë në inspektorate. Sipas të dhënave tona, në gjithë vendin, si në nivelin lokal dhe atë qendror, veprojnë 42 inspektorate. Po synojmë të tkurren dhe të bëhen vetëm 15-16 inspektorate. Tani e kemi formuar një grup punues në të cilin janë të përfshira të gjitha palët e interesit sepse ky reformim i inspektoratit duhet të bëhet në bashkëpunim në mes të gjithë aktorëve. Nga analizat e bëra është vërejtur se problemin më të madh deri më tani e ka shkaktuar moskoordinimi i inspektorateve, mirëpo mund të themi se pas reformimit do të ketë koordinim më të mirë. Banka Botërore na ka rekomanduar të marrim si model Shqipërinë sepse reforma që është bërë atje ka rezultuar mjaft aktive.  Reformimi i inspektorateve do të mundësojë një mënyrë më të mirë për funksionimin e tregut dhe garantimin e standardeve. Kjo reformë është e domosdoshëm për ta luftuar arbitraritetin dhe çdo praktikë abuzive, e cila dëmton në mënyrë ta pamerituar biznesin dhe zhvillimin e tij.  MTI-ja si bartëse e këtij reformimi do të jetë shumë e kujdesshëm për implementimin me saktësi e vendosmëri të reformës së inspektimit.

 “Epoka e re”: Ministër, MTI-ja është udhëheqës e Task Forcës për të bërit biznes. Çfarë keni bërë deri më tani për krijimin e një klime më të mirë për të bërë biznes?
Hasani: Si rezultat i Task Forcës janë bërë një seri përmirësimesh në fushën e të bërit biznes, ku Kosova është renditur në vendin e 40 në listën e Bankës Botërore. Progresi në fushën e të bërit biznes është një angazhim i përbashkët i të gjitha ministrive të linjave, por edhe të gjitha institucioneve tjera dhe kjo ka reflektuar në raportet e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova është renditur në pozitën e 40 në nivelin Botëror dhe presim këtë vit të kemi përparime në rangimin e të bërit biznes. Por, keni parasysh se përmirësimi i ambientit të biznesit s’mund të bëhet nga një ministri, apo institucion i vetëm, por bëhet vetëm duke u bashkuar dhe koordinuar përpjekjet tona që të largojmë çdo barrierë dhe të eliminojmë atë që quhet burokraci e që paraqet kosto të biznesit. Ne vazhdimisht jemi duke punuar në drejtim të promovimit të Kosovës si vend që ka krijuar dhe po krijon politika të favorshme të biznesit. Po ashtu, në Raportin e fundit të Progresit, 70-80 për qind e progresit të vlerësuar ka qenë nga puna e MTI-së.

 “Epoka e re”: Një ndër takimet e zhvilluara së fundmi ka qenë me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli. Çfarë u pajtuat me të?
Hasani: Gjatë këtij takimi kam kërkuar nga kryebashkiaku Leli të organizohen vizita të nxënësve nga Vlora në Kosovë, me qëllim që të zhvillohet turizmi. Nxënësit tanë çdo vit e vizitojnë Shqipërinë. Pse mos të ketë edhe organizime nga Shqipëria në Kosovë. Kjo ide u mirëprit nga kryebashkiaku Leli. Po mendojmë që nga ky vit do të bëhen organizime të tilla nga Shqipëria në Kosovë. Mendoj se të dy vendet kemi çfarë i ofrojmë njëri-tjetrit në fushën e turizmit. Ata e kanë bregdetin, por edhe ne kemi shumë zona turistike.

 “Epoka e re”: Veç angazhimeve në ministri, ju kemi parë shumë aktiv edhe në aktivitete partiake në Gjilan. Si po ju shkon ky proces?
Hasani: Përveç punëve të përditshme në ministri, pas orarit të punës kam vazhduar aktivitetet partiake për rritjen dhe konsolidimin e degës së Gjilanit, kryetar i së cilës jam. Jo vetëm Gjilani, por e tërë Nisma Socialdemokrate është duke punuar vazhdimisht për rritjen e partisë dhe ristrukturimin e saj. Deri më tani në Gjilan, bashkë me kryesinë dhe anëtarësinë e gjerë, jemi angazhuar të krijojmë nëndegët tona në secilën lagje dhe fshat të qytetit. Po ashtu, kemi zgjedhur edhe kryetarët e këtyre nëndegëve dhe kryesitë. Vullneti i jashtëzakonshëm i të rinjve dhe të rejave për të qenë pjesë e familjes sonë të madhe socialdemokrate po më motivon të punoj edhe më shumë. Kemi pasur shumë aderime të reja dhe dalëngadalë Nisma në Gjilan po bëhet një prej partive kryesore.

Albulena S. MAVRAJ

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani dhe Juventus do të përballën në kuadër të Superkupës…