ZPS-ja kërkon që Sali Mustafa të mbetet në paraburgim

04 nëntor 2022 | 13:44

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se vazhdimi i paraburgimit të Salih Mustafës mbetet i nevojshëm dhe proporcional.

Në parashtresën e saj, ZPS-ja ka thënë se vazhdimi i paraburgimit është mënyra e vetme për të menaxhuar rreziqet e paraqitura nga i akuzuari.

“Vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit mbetet i nevojshëm dhe proporcional. Dyshimet e bazuara dhe rreziqet e renditura në nenin 41 (6) (b) vazhdojnë të ekzistojnë. Përkundër mbylljes së rastit kundër të akuzuarit, ai ende mund të pengojë ecurinë e procedurës, duke përfshirë procedurat e mundshme të apelit, duke ndërhyrë te viktimat, dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre. Rreziqet e arratisjes dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme janë ende të pranishme dhe mbeten të larta. Në të njëjtën kohë, asnjë rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që nga shqyrtimi i dymbëdhjetë i paraburgimit që do të kërkonte rishikimin e gjetjeve të mëparshme të panelit në lidhje me vlerësimin e rrezikut”, është thënë në parashtresën e ZPS-së, e cila është bërë publike në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për Mustafën, i cili është në pritje të aktgjykimit, ZPS-ja ka konsideruar se mund të pengojë ecurinë e procedurës duke përfshirë procedurat mundshme të apelit apo ndërhyrë në dëshmitarë apo familjet e tyre.

“Në përputhje me parashtresat e saj të mëparshme, ZPS-ja pohon se rreziku i arratisjes është real, vazhdimisht i lartë, dhe rritet më tej me përfundimin e procedurave dhe me vendimin e ardhshëm. Duke qenë tashmë plotësisht i vetëdijshëm për provat fajësuese të grumbulluara kundër tij, i akuzuari, nëse lirohet dhe dënohet, mund të përpiqet të fshihet për të shmangur dënimin. Kjo është veçanërisht e vlefshme duke pasur parasysh ekspertizën e inteligjencës, kontaktet e të akuzuarit, dhe ekzistencën e një rrjeti mbështetës që përfshin, ndër të tjera, veteranët e luftës së Kosovës”, është thënë në parashtresën e ZPS-së .

Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së ka përfunduar në shtator të këtij viti, ndërsa pritet të shpallet aktgjykimi.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që prokuroria ka ngritur kundër tij, ndërsa kjo e fundit i ka kërkuar trupit gjykues që Salih Mustafën ta dënojë me 35 vjet burgim.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…