Zvicra mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

24 maj 2022 | 14:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të martën zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, gjatë Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos. Gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e afërta miqësore dhe lidhjet e ngushta njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Zëvendëspresidenti Berset ka thënë se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikatë se në këtë takim u theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për interesat dhe çështjet e përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës dhe stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu u vlerësua angazhimi prej shumë vitesh i Zvicrës në arritjen e këtyre objektivave, që reflektohet edhe në programet e bashkëpunimit zhvillimor dhe mbështetjes së paqes.

Zëvendëspresidenti Berset ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“U bisedua për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë

Kryeministri Kurti ka theksuar stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë në Republikën e Kosovës. Ai ka potencuar mërgatën e Kosovës në Zvicër si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë.

Duke biseduar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Berset ka thënë se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës.

Kryeministri Kurti ka theksuar domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe botës demokratike, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hajdar Beqa i PDK-së dhe Halil Thaçi i LV-së janë…