Zvicra publikon listën për ndeshjet e nëntorit, tre shqiptarë grumbullohen për duelin me Kosovën
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka shpallur listën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Sipas programit, Zvicra do të presë Suedinë më 15 nëntor në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor do të udhëtojë në Prishtinë për të luajtur në “Fadil Vokrri” kundër Kosovës.
Në listën e shpallur nuk mungon kapiteni Granit Xhaka, i cili pritet të startojë në të dy ndeshjet. Megjithatë, Zvicrës i mungon mesfushori i rëndësishëm Remo Freuler, partner i Xhakës në mesfushë.
Nga futbollistët me origjinë shqiptare janë ftuar edhe Adrian Bajrami dhe Andi Zeqiri, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës për këto duele vendimtare.
Pas xhirove të fundit të grupit, Zvicra udhëheq me 10 pikë, ndërsa Kosova ka 7, Sllovenia 3, dhe Suedia vetëm 1 pikë. Përmes vendit të parë në grup, Zvicra synon kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa vendi i dytë dërgon në barazh.
Nëse Zvicra nuk fiton ndaj Suedisë dhe Kosova triumfon ndaj Sllovenisë në Lubjanë, ndeshja në “Fadil Vokrri” do të bëhet një finale direkte për vendin e parë dhe për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.




