Zymberi: “Epoka e re” më bëri të dashurohem në profesionin e gazetarit

21 shkurt 2020 | 11:44

Sot më 21 Shkurt i mbusha trembëdhjetë vjet në familjen e madhe të “Epokës së re”, gazetë e cila më guximin, raportimin e drejtë dhe mbrojtjen e vlerave të luftës më bëri të dashurohem në profesionin e gazetarit.

Si gjimnazist isha lexues i rregullt i gazetës së luftës, siç e quanim në atë kohë “Epokën”, kurse pas përfundimit të shkollës së mesme, duke pirë kafe çasti në qytetin e Pejës me njërin nga shokët më të mirë dhe njëkohësisht duke shfletuar “Epokën” në faqen e fundit e vrojtova konkursin e Fakultetit të parë dhe të vetmit të gazetarisë deri në atë kohë “Faik Konica”.

Të nesërmen u lajmërova në administratën e këtij fakulteti dhe u regjistrova. Në provimin pranues, dekani dhe profesori tashmë i ndjerë, Ramiz Kelmendi, më pati dhënë një këshillë: “Për të qenë një gazetar i mirë duhesh që gjuhën shqipe ta flasësh e ta shkruash pastër”. Kjo këshillë e drejtë e profesorit nuk më pëlqeu aspak për faktin se isha i mësuar që të mos e flisja gjuhën standarde në familje dhe shoqëri. Në semestrin e fundit të studimeve, me iniciativë të shokut të studimeve, Mal Qorraj, fillova praktikën në gazetën time të zemrës, “Epokën e re”. Normalisht se falënderim i veçantë për mundësinë e dhënë dhe meritor për krejt të arriturat në jetën time është botuesi Muhamet Mavraj. Pas praktikës njëmujore, drejtori i gazetës Sadik Zeqiri më njofton se tani e tutje je pjesë e familjes së “Epokës”.

Lajm që më gëzoj përtej mase për faktin se brenda muajit arrita që të tregoj se jam i gatshëm të bëhem pjesë e stafit të mrekullueshëm të gazetës “Epoka e re”. Ende pa mbushur vitin në gazetë, redaktori i sportit, Liridoni, ndërpreu punën, por mungesën e përvojës e mbulova me përkrahjen e drejtorit që ne e quajmë “Dika”, i cili edhe sot vazhdon të ma ofrojë përkrahjen si në ditët e para. Pastaj në gazetë erdhën Fatmiri, Tomori dhe Fatoni dhe, me ndihmën e korrespodentëve, pasqyruam ngjarjet më të rëndësishme në sportin vendor dhe ndërkombëtar, promovuam edhe shumë sportistë të rinj që sot kanë bërë emër edhe jashtë Kosovës. Gjatë kësaj kohe u njoftova edhe shumë sportistë e sportiste që, përveçse i kam miq të mirë, ata ma bëjnë punën më të lehtë dhe më të dashur. Mbështetje të pandërprerë kisha edhe nga shoku i fakultetit, Mal Qorraj, që vetëm gjumin e kishim në mes. Bashkëpunim të shkëlqyeshëm kishim edhe me kryeredaktorin e atëhershëm Burim Etemaj, me redaktorin përgjegjës Xhevdet Fetahajn, me redaktorin gjuhësor Berat Dakaj, më të cilin shpeshherë kemi mosmarrëveshje për rregullat e gjuhës shqipe.

E të pazëvendësueshëm ishin edhe Jetliri, Muhameti, Fatoni, Albulena, Shqipja, Liria, Lulëzimi, Afeti, Artoni, Agimi, Ahmeti, Nita, Qëndresa, Ikballja, Arsimi, Minirja, Arjeta, Lirimi, Meti, Qëndresa (Mustafa), Albani, Dritoni, Zymeri, Agnesa, Arjeta, Zana, Arbisa, Besarti, Saranda, Shqiponja, Arbëresha, Donika, Mentori. Ndërsa për këto vite pata fatin që njoftova dhe punova me personin që nuk shitet dhe nuk blihet për asnjë çmim, redaktorin e faqosjes, Shkëmbim Krasniqin. “Daja” është shpirti i “Epokës…”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e shënimit të 75-vjetorit të rënies së Heroit…