Zymberi: Pesë emra janë në listë, së shpejti e vendosim për çështjen e trajnerin

22 dhjetor 2022 | 17:23

Eliminimi nga Kupa e Kosovës përballë Lirisë ishte një dështim që drejtuesit e Dritës nuk e pranuan dhe morën vendim për shkarkimin e trajnerit Ardian Nuhiu.

Që nga shkarkimi i tij, një muaj më parë, kampioni vjeshtor i Kosovës vazhdon edhe më tutje të jetë pa trajner, por kjo situatë do të ndryshojë brenda pak ditësh. Kështu ka bërë me dije për “KosovaPress”, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

Ai ka thënë se në listën e ngushtë tyre tashmë janë pesë emra dhe se trajneri i ri duhet të jetë dikush që e njeh mirë Superligën e Kosovës. “Nga ajo çka kemi pasur analizë dhe çka kemi diskutuar brendapërbrenda klubit kemi ardhur në përfundim që duhet dhe është më e mira që për këto gjashtë muajt e ardhshëm, me mundësi vazhdimi edhe për disa vjet të tjera ndoshta, të jetë një trajner i cili e njeh Superligën e Kosovës dhe konkretisht e njeh pak a shumë Dritën si funksionon”, ka thënë Zymberi. “Kjo është e para, pastaj nga analizat që kemi bërë, nga ata emra të cilët janë lakuar brendapërbrenda takimeve që i kemi pasur me presidentin dhe me udhëheqësin e klubit, e kemi bërë një listë të ngushtë prej pesë emrave të cilët i kemi kontaktuar dhe po mundohemi t’i përpunojmë ato të dhëna që i kemi marrë nga ata trajnerë dhe të shohim se cili është trajneri më adekuat për të vazhduar me Dritën”, ka shtuar Zymberi.

Në mesin e këtyre emrave është edhe ish-trajneri i Malishevës, Arsim Thaçi, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Zymberi. “Pa diskutim, një prej emrave që e kemi kontaktuar, por janë edhe katër trajnerë të tjerë të cilët i kemi kontaktuar dhe mbi këta pesë emra ne do ta bëjmë një analizë shumë të detajuar dhe në fund do ta marrim një vendim se cili do të jetë trajneri i cili do ta udhëheqë Dritën në të ardhmen. Pa asnjë diskutim, këta emra, të cilët i kemi futur në listën e ngushtë, janë trajnerë shumë të respektuar, janë trajnerë që ne kemi shumë respekt për ta dhe besojmë, por që vetëm njëri prej tyre mund të bëhet”, ka deklaruar Zymberi. Ndryshe, Drita e ka mbyllur edicionin vjeshtor si kampione me 38 pikë pas 18 xhirove të zhvilluara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jo vetëm Carlo Ancelotti dhe Zinedine Zidane, në listën e…