
Zyrtare: Orges Bunjaku do ta përfaqësojë Kosovën
Futbollisti i talentuar nga Kosova, Orges Bunjaku ka vizituar të martën Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është pritur nga kryetari Agim Ademi dhe KE i FFK-së. Në këtë takim është zyrtarizuar vendimi i lojtarit për t’iu bashkuar Përfaqësues së Kosovës.
Bunjaku ka lindur në Zvicër dhe deri tash ka përfaqësuar këtë shtet në të gjitha ekipet përfaqësuese të grupmoshave. Megjithatë, tani ka vendosur ta dëgjojë zemrën dhe ta përfaqësojë vendlindjen e prindërve të tij.
20-vjeçari aktualisht luan në kategorinë e dytë të futbollit francez, Grenoble, ku u transferua nga skuadra e njohur zvicerane, Basel.
“Kryetari Ademi e përgëzoi Orgesin për vendimin e marrë dhe i shprehu mirëseardhje në ekipin ‘dardan’, derisa falënderoi edhe prindërit e tij dhe të gjithë lojtarëve tjerë që i kanë rritur dhe edukuar fëmijët e tyre në frymën e atdhedashurisë”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Ndërkaq, Orges Bunjaku falënderoi kryetarin Ademi për interesimin e vazhdueshëm dhe u shpreh i lumtur që në të ardhmen do ta përfaqësojë vendin e prindërve të tij. Ai theksoi se e pret me padurim ditën kur do ta veshë fanellën e Kosovës dhe do të jap maksimumin e tij për t’i arritur objektivat.
/Epoka e re/