Zyrtarët e Hamasit thonë se marrëveshja për pengjet mund të arrihet së shpejti

21 nëntor 2023 | 14:03

Zyrtarët e lartë të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA – thanë të martën se një marrëveshje, për lirimin e pengjeve nga ana e tyre dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli, mund të arrihet shumë shpejt.

Rreth 240 njerëz u rrëmbyen nga Hamasi në Izrael më 7 tetor dhe u dërguan në Gazë, sipas zyrtarëve izraelitë, raporton rel.

Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, i cili ndërmjetëson me Hamasin, kanë disa javë që bisedojnë për lirimin e pengjeve, si dhe për një armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës dhe futjen e më shumë ndihmave humanitare në territorin e rrethuar.

Ushtria e Izraelit është duke e zgjeruar ofensivën e vet në veri të Gazës, ku zhvilloi luftime të ashpra me pjesëtarët e Hamasit në kampin e mbipopulluar të refugjatëve, Xhabalia, i cili është më i madhi në tërë Gazën.

Ushtria tha se forcat e saj po e “përgatitin fushëbetejën” në zonën e Xhabalias, në veri të Qytetit të Gazës, dhe se i kanë vrarë dhjetëra pjesëtarë të grupit radikal në ditët e fundit.

Ajo tha se i ka zbuluar tri boshte të tunelit ku luftëtarët po fshiheshin dhe se i shkatërroi raketahedhësit e tyre. Hollësitë e luftimeve nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Një sulm në një spital të afërt i vrau 12 persona të hënën, kur trupat dhe tanket izraelite po luftonin me luftëtarët e Hamasit pranë tij.

Izraeli thotë se Hamasi i përdor civilët dhe spitalet si mburoja njerëzore, derisa kritikët thonë se rrethimi dhe bombardimet e pareshtura izraelite përbëjnë ndëshkim kolektiv për territorin e 2.3 milionë palestinezëve.

Më shumë se 12.700 palestinezë – dy e treta gra dhe fëmijë – janë vrarë prej se nisi lufta më 7 tetor, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat s’e bëjnë dallimin mes civilëve dhe lugëtarëve kur llogarisin viktimat. Raportohet se rreth 4.000 janë zhdukur.

Rreth 1.200 njerëz u vranë në Izrael, shumica gjatë sulmit të 7 tetorit, dhe rreth 240 u morën peng nga Hamasi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me mbi 350 mijë objekte pa leje, arritja e një…