50 vjet albanologji

07 janar 2018 | 15:33

Prof. dr. Hysen Matoshi

Themelimi i Institutit Albanologjik më 1953 dhe mbyllja e tij pas vetëm dy vjetësh funksionimi shënojnë përpjekjen e parë për krijimin e kapaciteteve institucionale në fushën e studimeve shqiptare në Kosovën e asokohshme. Do të duhej të pritej një klimë tjetër politike në Jugosllavi, një rënie në intensitetin e dhunës, që për rreth dy dekada sistematikisht u ushtrua mbi shqiptarët, ashtu që të mund të riaktualizohej themelimi i tij. Para 50 vjetësh, pra më 1967, rinisi punën Instituti Albanologjik.

Sot, gjysmë shekulli më vonë, jemi mbledhur që të shënojmë një jubile të veçantë, të theksojmë disa nga shenjat kryesore identifikuese të arritjeve në rrugëtimin e këtij institucioni kërkimor-shkencor, të cilat janë gjithnjë të ndërlidhura me kontekste specifike shoqërore, shtetërore e kombëtare. Gjatë gjithë kësaj periudhe Instituti e përjetoi fatin e kombit, kulturën dhe të kaluarën e të cilit e ka në fokus studimor; ndryshimet në statusin e shqiptarëve të mbetur nën robërinë jugosllave u reflektuan edhe në stadin e zhvillimit të Institutit Albanologjik dhe në intensitetin e aktiviteteve të tij. Mirëpo duhet thënë se si institucion që mblidhte rreth vetes potenciale të shquara intelektuale të përmasës kombëtare, në periudha të caktuara, jo një herë, u bë pjesë dhe faktor në këto ndryshime.

Fillimet sfiduese

Vetë themelimi dhe veçmas rithemelimi, që solli funksionalizim e plotë të një institucioni kërkimor-shkencor, shënonte një trajtim më të drejtë në raport me kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Nëse më 1953 u bënë dy vjet përpjekje që përfunduan pa rezultate në fushën e studimeve, rithemelimi i Institutit u përcoll me një intensitet tjetër funksionalizimi, qoftë në planin e strukturimit të tij, qoftë në planin e aktiviteteve dhe të botimeve shkencore.

Kujtojmë se si për pak muaj patëm botimin e parë, përkatësisht Projektin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes, aktivitetet e para shkencore sikundër ishte simpoziumi kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe veçmas organizimi i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës si një zhvillim me peshë e larghedhës në kohë sa i përket standardizimit të gjuhës shqipe. Më tej, revista “Gjurmime albanologjike”, e cila kishte filluar të dilte në kuadër të Katedrës së asokohshme të Albanologjisë, u bë organi shkencor i Institutit Albanologjik, duke u dëshmuar këtu e 50 vjet me radhë si njëra ndër shenjat e identitetit të tij institucional.

Disa nga arritjet

Falë punës së palodhshme të 134 punonjësve, të cilët shkrinë mundin e tyre, dijen dhe kreativitetin, në realizim e shumë projekteve shkencore, 50 vjet më vonë flasim për arritje të konsiderueshme në fushën e studimeve albanologjike. Dua të theksoj vetëm disa nga arritjet kryesore të këtij 50-vjeçari, i bindur se kërkohet më shumë hapësirë për të sintetizuar gjithë atë punë kolosale të bërë në disiplinat kryesore albanologjike.

– Së pari, do të përmendja 610 vëllime me botime albanologjike, revista, monografi, materiale studimore, bibliografi etj., ku përfshihen edhe 152 numra të revistës “Gjurmime albanologjike”, 75 numra të revistës “Gjuha shqipe”; 14 vëllime materiale të Konferencës “Java e Albanologjisë”; 27 vëllime me folklor shqiptar; dhjetëra fjalorë të shqipes, fjalorë dygjuhësh dhe terminologjikë; kompleti i akad. Rexhep Qosjes prej 40 veprash në 29 vëllime; kompleti i Kadri Halimit në katër vëllime, është përgatitur për botim edhe kompleti i Anton Çettës në 13 vëllime; janë botuar studime të shumta monografike mbi të folmet shqipe të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi etj.

– Janë realizuar më se 250 projekte shkencore, individuale ose kolektive, të miratuara nga Këshilli Shkencor i Institutit Albanologjik në të gjitha disiplinat e studimeve albanologjike, sikurse janë gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia.

– Janë mbajtur më se 200 aktivitete shkencore: konferenca shkencore, simpoziume, sesione etj. kushtuar gjenezës dhe veçantive etnokulturore të shqiptarëve e të paraardhësve të tyre, ngjarjeve të rëndësishme për kombin shqiptar, më tej në to është debatuar për personalitete të shquara politike, kulturore dhe shkencore, për ngjarje që i kanë shënuar kthesat në historinë e shqiptarëve, për çështje të studimeve gjuhësore, të kulturës së gjuhës, të onomastikës, leksikologjisë, dialektologjisë etj., për çështje të rëndësishme të studimeve letrare, për historinë e letërsisë shqipe, për fenomene e periudha letrare, për autorë të dalluar të saj, për trashëgiminë tonë folklorike e etnografike, për aspekte terminologjike të trashëgimisë sonë popullore, për lloje të folklorit letrar, për traditat e lashta shqiptare, për doket, shtresimet e ndryshme kulturore, për vlerat arkeologjike të hapësirave shqiptare dhe të rajonit etj.

– Janë bërë përpjekje premtuese edhe sa i përket studimit të relacioneve të shqiptarëve me kombet e tjera në rrafshin politik, ekonomik, shoqëror, ushtarak, kulturor etj., sikundër edhe për prezantimin e rezultateve të studiuesve tanë në konferenca ndërkombëtare shkencore.

Në mbrojtje të identitetit shqiptar

Në gjithë produktin shkencor të pesë dekadave, si rezultat i punës së punonjësve dhe të bashkëpunëtorëve të Institutit Albanologjik, është synuar e vërteta e argumentuar shkencore, e bazuar në burime të besueshme e të qëndrueshme. Megjithatë, gjatë proceseve dinamike që u zhvilluan në historinë e këtij gjysmëshekulli, gjatë të cilit pozita e shqiptarëve ndryshonte si rrjedhojë e veprimeve të jashtme, por edhe e ndërgjegjësimit kombëtar, Instituti Albanologjik mbajti një qëndrim të drejtë e parimor, në rend të parë, në raport me çështjen e pazgjidhur shqiptare, u përpoq që me potencialin e vet profesional e intelektual të bëhej një zë i kohës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si një komb autokton në trojet e veta.

Presione të shumta politike të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, veçmas pas pranverës kryengritëse të vitit 1981, u bënë mbi udhëheqjen dhe punonjësit e Institutit. Pathyeshmëria e tyre bëri që politika komuniste ta emërtonte Institutin Albanologjik si “kështjellë të nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”. Ngjashëm u përgjigjën intelektualët tanë edhe në fazën e mëvonshme kur sistemi monist ra përfundimisht. Pjesa më e madhe e tyre u bë fuqi prijëse në krijimin e alternativës politike shqiptare në ish-Jugosllavi, e mekanizmave të pavarur institucionalë që kishin në fokus të drejtat dhe liritë e njeriut, e asociacioneve të ndryshme intelektuale, humanitare e prosperuese për kombin shqiptar dhe shtetin e Kosovës në veçanti etj.

Më 1994 punonjësit e Institutit Albanologjik dhanë provën e parë bindëse në rang Kosove të kundërshtimit të vendosur institucional ndaj organeve pushtuese serbe, që kishin vendosur ta uzurponin objektin e Institutit, i cili për vite ishte shndërruar në një hapësirë multifunksionale, ku zhvillonin veprimtarinë e tyre pothuajse të gjitha institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës të krijuara gjer atëherë, duke filluar nga ato kulturore e deri te bërthamat e institucioneve shtetërore. Organet serbe atë ditë, pra më 7 mars 1994, e kuptuan se shqiptarët nuk do t’iu bindeshin më urdhrave dhe kërcënimeve të tyre, ndaj për të realizuar qëllimet e tyre diskriminuese përdorën dhunë brutale, e cila bëri jehonë në opinionin botëror.
Më 1998, Instituti Albanologjik, me pjesën më të madhe të potencialeve të tij, u vu në përkrahje të plotë morale e funksionale të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ambientet e tij ishin bërë një bazë e rëndësishme logjistike e mbështetjes së luftës çlirimtare.

Galeria e amshimit

Në të vërtetë, kur flasim për Institutin Albanologjik, ne flasim për ata individë që kanë punuar në të, por edhe për një frymë mbizotëruese e unifikuese në mesin e tyre, e cila e vinte kapacitetin e gjithëmbarshëm profesional, intelektual dhe moral të pjesëtarëve të tij në funksion të zhvillimeve historike të kohës. Nuk mund të mos shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në planin shkencor e kombëtar në ato periudha të vështira.

Megjithatë, me lejen tuaj, do të isha fokusuar te të gjithë ata anëtarë të Institutit Albanologjik, të cilët nuk ndodhen më fizikisht mes nesh. Në këtë jubile u shprehim mirënjohjen dhe nderimin tonë të thellë drejtorëve të Institutit, Ilhami Nimani dhe Fehmi Agani; punonjësve shkencorë: Selman Riza, Zekeria Rexha, Mehdi Bardhi, Hasan Kaleshi, Sylejman Drini, Abdullah Zajmi, Besim Bokshi, Sadulla Brestovci, Bajram Krasniqi, Anton Çetta, Sefedin Fetiu, Flamur Hadri, Ibrahim Rugova, Kajtaz Rrecaj, Zekeria Cana, Ymer Jaka, Bahtir Sheholli, Shaqir Berani, Muhamet Pirraku, Shkëlzen Raça e Muhamet Tërnava; dhe punonjësve administrativë, profesionalë e teknikë: Ali Rexha, Misin Saneja, Murteza Shllaku, Mithat Saiti, Vehbi Ismajli, Ali Lubishtani, Sinan Luta, Hajdin Hajdini, Xhemail Sahiti, Nazmije Krasniqi dhe Nazmi Rexhiqi.

Pa punën e tyre dhe të të gjithë punonjësve të tjerë funksionimi dhe rezultatet e punës shkencore të Institutit Albanologjik nuk do të ishin të mundshme. Kemi pasur fat që në radhët tona kishim kapacitete të këtilla intelektuale, personalitete me të cilat historia jonë kombëtare e shtetërore bëhet më e begatë, bëhet më kuptimplote.

Edhe pesë dekada pas funksionimit të pandërprerë si institucion kërkimor-shkencor, ende përballemi me vështirësi dhe sfida të natyrave të ndryshme, ende kujdesi institucional për shkencën si veprimtari me interes të veçantë nuk është në nivelin e duhur. Le të shpresojmë se do të vijnë ditë më të mira për Institutin Albanologjik dhe shkencën tonë në përgjithësi!

(Fjalë në Akademinë solemne mbajtur për nder të 50-vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ergys Kaçe mund të ndryshoj destinacion dhe të përfundoj në…