Behram Hoti ta vazhdojë punën e vet letrare

01 Nëntor 13:08

Dhe vjershën e përfundon me vargun: Kosovë me diell me lule zjarri…

Kosovë o lule zjarri

Kosovë o nëna jonë
Kosovë o tokë e vuajtur
Kosovë o tokë e kuqe
Kosovë o gur i ndezur
Kosovë o ari o hekur
Kosovë me zemër kristali
Kosovë o lule zjarri

Kosovë tokë dukagjini
Kosovë tokë kastrioti
Kosovë o lavër moti
Kosovë o flakë baroti
Kosovë o djep dardani
Kosovë o tokë e bogdanit
Kosovë o dervish hasanit
Kosovë e palit t’hasit
Kosovë o lule zjarrit

Kosovë Dhekuqe me eshtra
N’ty u farkua shigjeta
Mullinjt eshtat t’i bluan
Lulëkuqët n‘krah t’pushuan
Rrufetë natë e ditë t’gjuan
Klithmat n’ty nuk pushuan
Gjelat e zogjtë të pa pupla
Minjt t’i helmuan
T’i kafshuan buklat
Trupin ta dërmuan furtunat
Kokën ta shkurruan në gjak
T’qëlluan n’kokë në krah në sy
Shekujt ujqish o shekujt e zi’
Kosovë nën – o flokët me gjak
Fëmijët i rrite pa këmishë pa lulak

Ditë e natë me sy në frenxhi
Truallin ta lavruan medet
Korba e korbesha minjtë e gjarpinjtë
lliqë lakuriqë drekën e shtronin
Me qengja t’u t’ri ujqit e zi
Ti Kosovë me plis mbi kry’
Qëndrove n‘ Ballkan Histori …

Kosovë tokë e kuqe dhebardhë
Kosovë tokë me pishë me arrë
Kosovë tokë me legjendë n’ballë
Kosovë tokë me hitha në bark
Kosovë me pemë Mollë e Dardhë

Kosovë t’preu shpata e Sulltanit
Kosovë të mbuloi flaka e tymi
Kosovë Idriz Seferi e Buletini
Diell e qiell tokë e dhe Kushtrimi
Kosovë o Pishë e Bac Bajramit
Kosovë o këngë e Zhuj’ Selmanit
Kosovë o jetë e Hasan Prishtinës
Kosovë o Besë Shotë Azem Galicës
Ahmet Delia Meha i Prekazit
Sakicë mbi vetullë – Lulën e ballit…

Kosovë me kortezhe funerale varre
Kosovë me malltretime burgje izolime
Kosovë e mësuesit Shaban Llapit
Kosovë e Flamurit poet Grajçevcit
Kosovë Lis Rezalle Halit Goxhulit
Kosovë lisa e pisha gur me mur
Kosovë me tiç me plisa me flamur
Besë me këngë e me besë shqiptari
Kosovë me diell me lule zjarri …

Poezia Qyqevica, siç thotë edhe vetë titulli i saj, i është kushtuar bedemit të mbrojtjes së Drenicës – malit Qyqevica. Ky nuk është mal sidoqoftë apo si shumë male të tjerë, mal për prerjen e drunjve. Ka qenë gjithmonë mbrojtës i kaçakëve.
Që në mesjetë Qyqevica ka qenë nyje, nyje kjo e Gordos ngase në të, në këtë mal me pozitë strategjike, kanë gjetur strehë luftëtarë që kanë luftuar për lirinë e këtij trualli. Është mal plot blerim ku, siç thotë poeti, zogu-zogut i këndon. Aty janë rrënjët që e jetësojnë Lisin. Vargu i fundit i kësaj strofe përsëritet dhe ka përmbajtjen e vargut të parë, të po kësaj strofe: Qyqevicë nyje në mesjetë.
Për ata që s’e dinë se çka është mali Qyqevica, poeti thotë se është bjeshkë në Drenicë. Aty është rrugë e gjatë, gjarpërore, ku ka përpjetëza e teposhtëza, ku ka Mugull në bunga degëmëdha. Aty gjinden edhe kufoma të vendasve me sy të shkyem e me buzë t’çara, kuptohet nga hanxharët vdekjeprurës të duarve kthetra të zeza serbe.
Si njohës i mirë i malit të Qyqevicës, poeti pyet se “Kush e preu bungun e parë i cili ka qenë degëthyer krasit n’fytajë, pra degëthyer në krasin që e ka pasur formën e fytit. Dhe, për të mos na lënë që të mendohemi ai jep përgjigjen: Kohë Pashiqi në murtajë. Pra kjo prerje e bungut të parë (shqiptarëve) ka ndodhë në kohën e kriminelit serb Pashiq. E Qyqevica edhe më tej është me sygaca – cunga bunga. Pra vigjilon me sygaca, e është përplot cunga-bunga, cunga të drunjve të bungut, me dru vidhi plot çerdhe zogjsh dhe me gur rrudha.
Në Qyqevicë nuk është edhe vend për prehje, ngase aty këndon një qyqe, hipur në atë dru verri, edhe atë err e terr, apo natë e ditë. Armiku është i fortë dhe me numër të madh. Ia prenë drenicasve mrizin të Kroni. Por ia mësoi emrin Anadolli, se ç’ke me të. Jo për të mirë por për qëndresën e tyre kundër pushtetit anadollak.
Qyeqevica është edhe mal me ujë dhe me dhe të butë, apo siç i emërton autori, bucina. Këtë mal, si për vendin e vet, iu (për)ul vetë Azem Galica dhe e puthi. Natyrisht: çdo atdhetar, trim e luftëtar puth tokën e atdheut dhe flamurin e vet kombëtar. Po këtë gjë e bëri edhe Medhmet Gradica.
Lisat janë qenie thuaja mitologjike për poetin Behrtam Hoti. Ato simbolizojnë shqiptarin, e lartë, kryelartë e kryeneç, të palakuar dhe të pathyeshëm, që i ka rrënjët thellë në zemrën e këtij trualli. Qyqevica, thotë autori, është streha jonë… Lisat janë aty së bashku me frëngjitë për ngritjen e pusive me martina. Qyqevica ka qenë mal ku është zhvilluar një jetë plot shprazje rrufshë (armësh).
Qyqevica nuk shteroi kurrë pasi pat përherë dhe plot gurra dhe shumë (Bajram) Curra. E ku ka lisa, thotë autori, ka Kulla e Burra. Burra jo çfarëdo.
Këtu ka qenë burri i Kosovës vetë Shaban Polluzha të cilit mali, përveç strehimit dhe përkrahjes në luftë, i dha edhe ujë edhe bukë, e me janxhikë i dha kripë.
Qyqevica luftëtarëve të lirisë u dha plis mbi kokë japanxhë në shpinë. Ata thurnin epopenë për Arbërinë. Në Qyqevicë udhë e gjatë he gurore / Qyqevicë Drenicë Arbërore.
Poeti përfundon poezinë rrëqethëse të Qyqevicës me dedikimin: Këtë këngë ty ta fala Jetë. Pra këtë këngë autori ia fali jetës e Qyqevicës -Drenicës Arbërore, që nga mesjeta ka qenë nyje e Gordosë…

Qyqevica

Qyqevicë nyje në mesjetë
Mugulli shortin e bleron
Zogu-Zogut ditë i këndon
Rrënja Lisin e jetëson
Lisi ka sall një jetë
Qyqevicë nyje në mesjetë

Qyqevicë bjeshkë në Drenicë
Udhë e gjatë he gjarpërore
Me përpjetëza e teposhtëza
Mugull në bunga degëmëdha

Me syshkyem e me buzë t’çara
Kush e preu Bungun e Parë
Degëthyer krasit‘ n‘fytajë
Kohë Pashiqi në murtajë

Qyqevicë me sygaca-cunga-bunga

Vidha çerdhe lenda gur rrudha
Këndon një qyqe në atë verr
Err e terr me diell në kerr
Ta pren mrizin te kroni

Ta mësoi emrin Anadolli
Mal me ujë mbi dhe Bucina
Dheun ta puthi Azem Galica
E pas Azemit Mehmet Gradica

Qyqevicë e streha jonë …

Lisat te vranxhi n’martina
Përgjithë jetë rruf në Gurra
Ti nuk shterove – ke shumë Curra
Ku ka lisa ka kulla e burra

Burrë Kosove Shaban Polluzha
Ti i dhe ujë e i dhe bukë
Me janxhik e basin kripë
Plis mbi Kokë japanxhë n’shpinë

Epopeja për Arbërinë
Udhë e gjatë he gurore
Qyqevicë Drenicë Arbërore
Këtë kangë ty ta fala jetë
Qyqevicë nyje në mesjetë
Drenicë, 1991

Gjuha e Behram Hotit është përplot lokalizma, arkaizma, fjalë këto që duhet studiuar. Por ky shkrim modest nuk e ka për qëllim studimi edhe këtë. Duhet cekur edhe se, për të mos e përfunduar dhe për të mos e përmbyllur aty për aty mendimin dhe idenë e vet në poezi, ai me mjeshtri përdor trepikëshin, shenjë e vazhdimit të mendimit e idesë – në heshtje edhe pse më me dëshirë do t‘i përfundonte ato duke e përmbyllur kështu vargun. Po ç’e do?! Çdo shkrimtari i qëndron “orli” mbi krye. Në këtë rast poetit i ka qëndruar “kritiku” i UDB-së. Nga ky shkak, aty për aty ka përdorë trepikëshin. Po ashtu nuk do të thellohem më shumë në studimin letrar nga teoria e letërsisë, mbi vargun e të tjerat, ngase për këtë qëllim do të duhej një studim më i thukët, e jo si ky shkrim me motivim.
Në përmbyllje të këtij shkrimi të rastit, Behram Hotit i dëshiroj të ketë shëndet që edhe më tej ta vazhdojë punën e vet letrare. Ai ka vullnet, ka motivim, pra i duhet vetëm pak shtytje. E muza e tij shpresoj se do ta bëjë këtë gjë. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
TRAJTIMI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE NË SHTYPIN E ILEGALES (8)