Llapi, kampion vjeshtor

04 Dhjetor 12:41

Tri ndeshjet derbi në javën e fundit të sezonit vjeshtor kanë përfunduar me rezultat 0-0.

Zyrtarisht skuadra e Llapit, pas barazimit ndaj Trepçës ’89, është kampion vjeshtor me 34 pikë të grumbulluara. Nënkampion vjeshtor është Prishtina me dy pikë më pak se skuadra e Llapit, kurse e treta renditet Drita me 30 pikë. Tri skuadrat e fundit në renditjen tabelore janë Besa (13), Flamurtari (11) dhe Vllaznia e Pozharanit (8). Duhet cekur se ndeshjet e fundit për këtë sezon në Vala Superligën e Kosovës në futboll u zhvilluan me shumë telashe, pasi terrenet sportive ishin shumë të rënduara si pasojë e kushteve atmosferike në Kosovë.

Llapi – Trepça ’89                              0-0

Barazimi ndaj Trepçës ’89 (0-0), të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, i ka mjaftuar Llapit për ta siguruar epitetin e skuadrës më të mirë për sezonin vjeshtor. Mysafirët e kishin rastin e parë në ndeshje pas trembëdhjetë minutave lojë, por Florent Hasani nuk arriti ta mposhtë portierin vendës. Në fund të pjesës së parë vendësit e gjetën golin me anë të kapitenit Hamdi Namani, por gjyqtari e anuloi me arsyen se futbollisti ishte në pozitë jashtë lojës. Rastet nuk munguan as në pjesën e dytë, por rezultati 0-0 mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Gjilani – Drita                                      0-0

Derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Gjilanit dhe Dritës u mbyll pa gola të shënuara 0-0. Pavarësisht prej reshjeve të shiut dhe temperaturave të ulëta, tribunat e stadiumit të qytetit në Gjilan ishin të mbushura me tifozët e të dyja skuadrave, të cilët krijuan atmosferë madhështore. Në pjesën e parë Xhevdet Shabani dhe Astrit Fazliu nuk i konkretizuan rastet që patën, kurse Gjilani nuk arriti të shënojë në dy rastet që kishte me anë të Rusit dhe Kastratit. Në pjesën e dytë sërish rastet ishin të shumta, por skuadrat nuk i shfrytëzuan dhe ndeshja u mbyll me rezultat 0-0.

Besa – Vëllaznimi                                1-2

Në derbin e skuadrave nga Rrafshi i Dukagjinit, Vëllaznimi e ka mposhtur skuadrën e Besës me rezultat 1-2. Golat për skuadrën kuqezi nga Gjakova i shënoi kapiteni Albutrint Morina, në minutat 47 dhe 60, kurse golin e vetëm për pejanët e shënoi Rron Krasniqi në minutën e 82-të. Kjo humbje edhe një herë e konfirmon krizën e thellë të skuadrës pejane në këtë edicion, dhe sezoni pranverorë do të jetë shumë i nxehtë për këtë klub që ta sigurojë mbijetesën në Superligë. Në anën tjetër Vëllaznimi e mbylli sezonin vjeshtor në mesin e tabelës, por me një numër të madh pikësh, prandaj kjo skuadër mund ta ndjekë edhe titullin, pasi është vetëm nëntë pikë pas liderit, Llapit.

Drenica – Liria                                  1-0

Drenica që po kalon nëpër një krizë financiare dhe organizative po arrin t’i befasojë të gjithë me rezultat që po regjistron në këtë edicion vjeshtor. Kjo skuadër të shtunën arriti të dalë fituese në ndeshjen ndaj Lirisë (1-0), e cila u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Golin e fitores për kuqezinjtë nga Skenderaj e shënoi Genc Hamiti në minutën e fundit të ndeshjes. Drenica tani ka 28 pikë dhe ngjitet në mesin e tabelës, aq sa ka edhe skuadra e Lirisë.

Feronikeli – Prishtina                 0-0

Një tjetër ndeshje që përfundoi 0-0 ishte ajo e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas në mes të Feronikelit dhe Prishtinës. Vendësit kishin më shumë raste shënimi, por ndeshja përfundoi me rezultat 0-0. Pas këtij barazimi, Feronikeli zë vendin e katërt me 28 pikë, kurse Prishtina mbetet e dyta me 32 pikë.

LISTA E GOLASHËNUESVE

  1. Genc Hamiti (Drenica) 9 gola
  2. Mirlind Daku (Llapi) 9
  3. Kastriot Rexha (Drita) 7
  4. Mark Milicaj (Feronikel) 7
  5. Xhevdet Shabani (Drita) 7
  6. Otto John (Trepça ’89) 7
  7. Artur Magani (Liria) 6
  8. Florim Berbatovci (Llapi) 6
  9. Florent Hasani (Trepça ’89) 6
  10. Semir Zeneli (Vëllanzimi) 5
  11. Mendurim Hoti (Feronikel) 5

 

Vala SUPERLIGA

Llapi – Trepça ’89                     0-0
Gjilani – Drita                            0-0
Besa – Vëllaznimi                      1-2
Drenica – Liria                           1-0
Feronikeli – Prishtina               0-0
Vllaznia (P) – Flamurtari         2-0

Tabela

1.Llapi                  34 pikë
2.Prishtina           32
3.Drita                  30
4.Feronikeli        28
5.Liria                   28
6.Drenica              28
7. Trepça ’89         27
8.Gjilani               26
9.Vëllaznimi         25
10.Besa                13
11.Flamurtari       11
12.Vllaznia (P)     8

(Veton ZYMBERI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ajo kurrë nuk dështon të duket joshëse edhe kur pozon…