Profesor Çapriqit iu dha lamtumira e fundit

16 janar 2018 | 15:16

Profesorit të Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqit, sot në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë, në një ceremoni mortore organizuar nga ky fakultet, në praninë e shumë profesorëve, shkrimtarëve, gazetarëve, familjarëve, studentëve dhe miqve të tij, iu dha lamtumira e fundit.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, profesor Osman Gashi dhe Sali Bashota, ishin ata që te dera e Sallës së Kuqe të fakultetit prisnin miqtë e profesor Basriut, të cilët kishin ardhur për ta kujtuar dhe nderuar atë.

Pas hapjes së orës përkujtimore nga profesor Osman Gashi, ai lexoi edhe një telegram ngushëllimi që familjes Çapriqi ia kishte dërguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht bëri me dije se varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e Prishtinës në orën 14.30.

Fjalë rasti pati edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili tha se Universiteti i Prishtinës humbi një nga profesorët më të çmuar.

“Letërsia, kultura dhe publicistika humbën një shkrimtar të shkëlqyeshëm, kurse studentët humbën udhërrëfyesin e tyre, ndërsa familja prindin dhe bashkëshortin e dashur. Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm ky çast i mbledhjes sonë për t’u përshëndetur për herë të fundit fizikisht me profesorin tonë të çmuar, Çapriqin, i cili i dha kaq shumë Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë sonë. Sot e kam të vështirë të flas e ta them fjalën e ndarjes për njeriun që kaloi jetën në sallë të ligjëratave para studentëve, para librit dhe penës që me mendjen e tij të ndritur, ndriti mendjen e shumë të rinjve dhe të rinjve”, tha rektori Dema.

Me një fjalë lamtumirëse për kolegun e vet u paraqit edhe dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila çmoi shumë kontributin e profesor Çapriqit si poet si studiues: “Studimet e tij letrare do të mbesin si pikë reference për shumë studiues të tashëm dhe të ardhshëm. Të dashur të pranishëm, profesori nuk e mbërriti për pak orë datëlindjen e tij të 58, sepse e keqja e pafund e sëmundjes e mbërtheu fort dhe nuk e lëshoi. Megjithatë, emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen derisa studiohet letërsia shqipe në këtë vend”, tha Rugova.

Një nga miqtë e tij më të hershëm, me të cilën ka bashkëpunuar më shumë se tridhjetë vjet, të cilin e kishte shoku të gjeneratës, Sali Bashota, tha se Basri Çapriqi ishte poet i jashtëzakonshëm, stilist brilant, profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i letërsisë shqipe.

“Basri i dashur, kur ne prisnim ditëlindjen tënde, pse miku im u ngute dhe harrove dritaren hapur për të fluturuar shpirti yt në zemrën e qiellit. Shpesh na thoshe dritaren lëre hapur që të hyjë ajri nga rruga. Basri i dashur, nuk mund të themi lamtumirë asnjëri nga ne këtu. Asnjëri nga të dashurit e tu nuk kemi lamtumirë për ty. Na fal! Ti ishe poet i jetës, jo i vdekjes”, u shpreh profesor Bashota.

Për ndarjen nga jeta të profesor Çapriqit foli edhe vajza e tij, Bulza, e cila evokoi kujtime nga jeta e babait. “Edhe pse na dhe mësime për gjuhën dhe fjalët, sot nuk po arrijmë t’i kujtojmë ato. Ike shpejt dhe na le në heshtje. A thua që i deshe fjalët aq shumë e na i more të gjitha me vete. E kemi shumë të vështirë ta pranojmë humbjen tënde. Një gjë e dimë shumë mirë, se dashuria dhe mirësia me të cilat na rrethove, do të na ngrohin zemrat përjetë. Do të na mungosh shumë. Kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim zbrazëtinë që na lë pas”, tha e bija e të ndjerit, profesor Çapriqit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia vjeshtore në Vala Superligën e Kosovës në futboll, Llapi…