Trumpi: Nuk ka kufizim kohor në denuklearizimin e Koresë Veriore

18 korrik 2018 | 10:58

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk ka kufizim kohor për denuklearizimin e Koresë Veriore dhe se nuk ka nevojë për shpejtim të procesit.

Kjo deklaratë përbën ulje të tonit nga Trumpi, i cili më parë ka thënë se procesi i çarmatimit do të niste shumë shpejt.

Trumpi dhe lideri verikorean, Kim Jong-un kanë zhvilluar një takim historik muajin e kaluar duke premtuar denuklarizimin e Gadishullit Korean.

Megjithatë, pakti në fjalë nuk ka pasur strategji se si do të ndodhte, raporton “Rel”.

Nga takimi në mes të dy liderëve më 12 qershor, ende nuk është raportuar për përparim në këtë aspekt.

Javën e kaluar Koreja Veriore ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për kërkesa “të tipit të gangsterëve” sa i përket këtij procesi, duke cilësuar qasjen amerikane në bisedime të nivelit të lartë si “tejet shqetësuese”.

Trumpi ka thënë të martën se bisedimet me Phenjanin janë duke shkuar mirë.

“Nuk kemi kufizim kohor. Nuk kemi kufizim të shpejtësisë. Diskutimet janë duke vazhduar dhe janë duke shkuar shumë mirë. Sanksionet vazhdojnë ende. Pengjet janë kthyer. Nuk ka pasur testime. Nuk ka pasur raketa në periudhë nëntë-mujore dhe mendoj se marrëdhëniet tona janë të mira, do të shohim çfarë do të ndodhë”, u ka thënë Trumpi gazetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Claudia Guarnieri ka qenë gjithmonë një tifoze e zjarrtë e…