1 400 persona kanë humbur vendin e punës

14 maj 2020 | 08:42

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, në të cilën ka raportuar për 100 ditët e punës në ministrinë që udhëheq, ka thënë se është keqkuptuar për ulje të papunësisë. Ai ka sqaruar se nuk ka thënë se janë krijuar vende të punës, mirëpo se janë formalizuar mbi 12 mijë vende të reja të punës me masën e Pakos Emergjente Fiskale.

“Ajo që më bën më së shumti të gëzuar gjatë implementimit të pakos emergjente fiskale është ndikimi i saj në formalizmin e ekonomisë. Kemi mbi 12 mijë vende të reja të punës së formalizuar në këtë masë. Ne nuk kemi deklaruar se kemi krijuar vende të punës, mirëpo kemi formalizuar, e formalizmi në çdo shtet llogaritet si e arritur e madhe e qeverisë. Njëkohësisht, kemi mbajtur nën kontroll numrin e atyre që kanë humbur vendin e punës. Zyrtarisht deri më sot, si pasojë e pandemisë, kemi vetëm 1 400 persona që kanë humbur vendin e punës”, ka thënë Bislimi.

Ministri ka bërë me dije se ministria që udhëheq është në fazën e draftimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe beson se deri në fillim të javës së ardhshme do të dalë me një draft të parë, i cili do të shqyrtohet me komunitetin e biznesit dhe me partitë opozitare.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi,​…