149 të vdekur e mbi 5 400 të infektuar në Gjermani gjatë 24 orëve

01 prill 2020 | 10:16

Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” raportoi se 149 persona kanë vdekur dhe 5 453 janë infektuar me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 67 366 persona, ndërsa numri i të vdekurve në 732, shkruan “Reuters”, transmeton Express.

Gjermania është një ndër shtetet me shifrën më të lartë të të prekurve nga koronavirusi në Evropë. Megjithatë, numri i viktimave në këtë shtet vazhdon të mbetet i ulët si përqindje në krahasim me shifrën e të infektuarve dhe në krahasim me shkallën e vdekshmërisë në disa vende të tjera.

Më shumë viktima nga koronavirusi në Evropë janë shënuar në Itali, Spanjë dhe Francë. Italia dhe Spanja dje i shënuan mbi 800 viktima secila.

Virusi COVID 19 së pari u shfaq në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa tash është përhapur në rreth 180 shtete e territore të botës. Deri më tani mbi 42 mijë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 860 mijë janë infektuar me këtë virus në mbarë botën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koronavirusi mund të përhapet në ajër dhe të mbetet ngjitës…