Kirgizia krijon akullnaja artificiale për të siguruar ujë

29 nëntor 2026 | 15:28

Kulla akulli po ngrihen mbi fshatrat malorë të Kirgizisë dhe mund të përbëjnë një zgjidhje për të frenuar shpopullimin e zonave malore të vendit.

“Kam udhëtuar nëpër të gjitha fshatrat malorë të Kirgizisë dhe ajo që kam parë është migrimi për shkak të ndryshimeve klimatike, veçanërisht i të rinjve”, ka thënë Matraim Jusupov, ekspert i menaxhimit të ujërave, për “Radion Evropa e Lirë” nga Bishkeku, ku jeton.

“Akullnajat natyrore tashmë po zhduken dhe njerëzit nuk mund t’i kultivojnë më tokat e tyre që kërkojnë ujitje”, ka shtuar ai.

“Vendosëm që të krijonim ‘akullnaja artificiale’, në përpjekje për të siguruar ujë gjatë gjithë vitit për vendbanimet malore”, ka shpjeguar Jusupov. “Duam që banorët e fshatrave, veçanërisht të rinjtë, të mund të qëndrojnë. Kur ka ujë, ata mund të punojnë tokën dhe të sigurojnë të ardhura”.

Akullnajat artificiale krijohen duke përcjellë ujin nga përrenjtë malorë, që gjenden në lartësi të mëdha, përmes tubave nëntokësorë drejt një vendi të ftohtë dhe me hije pranë një fshati.

Dallimi në lartësi krijon presion të mjaftueshëm për ta shtyrë ujin lart përmes tubave vertikalë, të pajisur me një grykë të ngjashme me spërkatësit e ujit që përdoren në kopshte. Gjatë dimrit, uji i spërkatur ngrin në ajër ose pasi bie mbi sipërfaqet e ftohta, duke formuar gradualisht një grumbull akulli.

Në pranverë dhe verë, kulla e akullit shkrihet gradualisht dhe uji përcillet në një rezervuar, ku banorët mund ta përdorin, duke ndihmuar kështu në plotësimin e rezervave natyrore të ujit.

Akullnajat natyrore në vargmalin e Kirgizisë kanë humbur gati një të tretën e vëllimit të tyre gjatë 50 vjetëve të fundit, ndërsa ritme të ngjashme të shkrirjes janë raportuar edhe në rajone të tjera malore të vendit në Azinë Qendrore.

Historikisht, akullnajat kanë qenë burim jetik për komunitetet malore, duke grumbulluar sasi të mëdha dëbore dhe akulli gjatë muajve të ftohtë të dimrit, të cilat më pas shkrihen gradualisht në pranverë dhe verë.

Jusupov ka bërë të ditur se akullnajat e para artificiale në Kirgizi janë krijuar në vitin 2016, në rajonin malor të Narinit.

Kjo ka ndodhur pak kohë pasi e njëjta teknikë e ruajtjes së ujit është përdorur për herë të parë në malet e Indisë.

“Në fillim nuk i kushtova shumë vëmendje. Banorët e fshatrave tashmë po e bënin vetë, por sistemi funksiononte për një vit dhe më pas ndalonte”, ka kujtuar eksperti i ujërave.

Jusupov, i cili punon me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), së fundmi ka hartuar udhëzime për ndërtimin e akullnajave artificiale, të cilat Ministria e Burimeve Ujore e Kirgizisë i ka miratuar në tetor.

Aktualisht, në të gjithë Kirgizinë janë ndërtuar rreth 40 akullnaja artificiale, ndërsa po planifikohet zgjerimi i kësaj nisme në qindra vendbanime malore.

Kostoja e instalimit të secilës akullnajë varion nga 3.500 deri në 10.000 dollarë, në varësi të faktorëve të ndryshëm, përfshirë distancën që duhet të përshkojnë tubat për të sjellë ujin nga përrenjtë malorë dhe madhësinë e rezervuarit ku grumbullohet uji i shkrirë.

Kapaciteti i secilës akullnajë artificiale ndryshon shumë, por në një zonë të Kirgizisë, shtatë akullnaja artificiale thuhet se kanë grumbulluar rreth 1.5 milion metra kub akull gjatë një dimri të vetëm.

Banorët e fshatrave malore ku janë instaluar këto akullnaja kanë raportuar rezultate të ndryshme.

“Përfitimet e akullnajave artificiale janë shumë të mëdha”, ka thënë Mederbek Karimov, kryetar i komunës Sumbula në jugperëndim të Kirgizisë, për shërbimin në gjuhën kirgize të “Radios Evropa e Lirë”.

“Dua ta zgjeroj edhe më tej këtë program. Këtë vit planifikojmë të instalojmë edhe shtatë ose tetë të tjera”, ka shtuar ai.

Në fshatin Gaz, në perëndim të vendit, një përpjekje e fundit për të instaluar një akullnajë artificiale mund të ketë dështuar për shkak të vendndodhjes së saj.

“U rrit mjaft, por nuk pati shumë efekt”, ka thënë Rustam Matkarimov, kryetar i fshatit.

“U formua mirë, por më pas u shkri pothuajse menjëherë. Mund të jetë ndërtuar në një lartësi shumë të ulët dhe nuk dha rezultatet e dëshiruara. Duket se duhej të ndërtohej më lart në male, në një vend më të ftohtë”, ka shpjeguar ai.

Jusupov ka thënë se udhëtimet e tij për mbikëqyrjen e ndërtimit të sistemeve të akullnajave artificiale në Kirgizi, të cilat nganjëherë përfshijnë ngjitjen për orë të tëra në shtigje malore me kalë, e kanë përballur drejtpërdrejt me përmasat e problemit me të cilin po përballen banorët e zonave të larta malore të vendit.

Mbi një fshat malor, në një lartësi prej 3.300 metrash, ai ka thënë se “pashë akullnajën e fundit natyrore duke u zhdukur. Kishte mbetur shumë pak prej saj. E kuptoni? Banorët më thanë: ‘Pas një viti do të mbetemi pa ujë’”.

Nisma e Kirgizisë për ruajtjen e ujit po ngjall interes edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore.

Rezultatet e një projekti pilot me kulla akulli, të instaluara pranë një fshati malor në juglindje të Uzbekistanit, janë prezantuar në nëntor në konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike COP31, ndërsa ka plane për zgjerimin e instalimit të sistemeve të tilla edhe në pjesë të tjera të vendit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Liverpoolit i është ndërprerë seria prej katër fitoreve radhazi si…