“171 mjekë u kthyen në Kosovë”, opozita dhe mjekët e sfidojnë Kurtin: Tregoni emrat!

08 nëntor 2026 | 18:36

Kryeministri Albin Kurti së fundi u mburr me “kthimin e 171 mjekëve” nga diaspora gjatë vitit 2025/

Pas gati gjashtë vjetësh qeverisjeje, Kurti veçse ka shpallur suksesin e asaj që e quan “kthimi i trurit” në Kosovë.

Deklarata e tij ka nxitur reagime nga opozita dhe mjekët e rinj, të cilët kërkojnë dëshmi për këtë pretendim.

Në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, më 7 nëntor, Kurti foli për ndryshimin e kahjes së emigrimit të profesionistëve shëndetësorë.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”, deklaroi kryeministri.

Ai nuk tregoi burimin e statistikës, institucionet ku janë punësuar këta mjekë apo mënyrën se si është llogaritur kthimi i tyre.

Ndërkohë, të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës dëshmojnë se interesimi për punësim jashtë vendit ka vazhduar.

Vetëm gjatë vitit 2025, 95 mjekë kërkuan certifikata të nevojshme për punësim jashtë Kosovës.

Në vitin 2024 ishin 111, ndërsa më 2023, 167.

Në vitin 2022, këtë dokument e kërkuan 211 mjekë.

Reagimi më i drejtpërdrejtë erdhi nga studenti i mjekësisë, Besfort R. Racaj, i cili kritikoi kryeministrin për mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave të studentëve.

Sipas tij, Qeveria nuk iu përgjigj kërkesës për takim, ndërsa konkursi për specializime nuk pasqyron nevojat reale të institucioneve shëndetësore.

“Një konkurs që nuk reflekton nevojat reale të institucioneve shëndetësore”, shkroi Racaj, duke kundërshtuar mënyrën e shpërndarjes së specializimeve.

Ai tha se gjatë viteve 2021–2026 mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda për të kërkuar punësim jashtë vendit.

“Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, pyeti ai.

Racaj paralajmëroi se më 13 nëntor studentët do të paraqiten në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre.

Kritikave iu bashkua edhe ish-ministri i Shëndetësisë nga LDK-ja, Armend Zemaj, i cili e sfidoi publikisht Qeverinë të paraqesë emra konkretë.

“E sfidoj cilindo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës.”

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, kërkoi sqarime për metodologjinë dhe burimin e statistikës së paraqitur nga kryeministri.

“Kryeministër, publikoni të dhënat: cili institucion i ka numëru, me çfarë kriteresh dhe ku punojnë sot këta mjekë?”

Ajo ngriti edhe dallimin ndërmjet angazhimit të përkohshëm të mjekëve nga diaspora dhe kthimit të përhershëm në Kosovë.

“Me ardhë për disa ligjërata dhe me u kthy për me ndërtu jetën në Kosovë janë dy gjëra krejt të ndryshme.”

Ndërkohë, Kurti përmendi investime milionëshe në Gjinekologji, Kardiologji Invazive, Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare, si dëshmi të përmirësimit të sistemit shëndetësor.
R

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar gjendjen e ndërmarrjeve…