ShBA-ja mirëpret konfiskimin e cisternës me naftë iraniane

05 korrik 2019 | 11:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë mirëpritur ndalimin e cisternës me ngarkesë iraniane, nga ana e marinsave britanikë, në afërsi të Gjibraltarit.

“Lajm i shkëlqyer. Britania e Madhe ka ndaluar cisternën Grace të ngarkuar me naftë iraniane dhe që kishte cak Sirinë, në kundërshtim me sanksionet e BE-së”, ka thënë këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, John Bolton.

Ai ka thënë se Amerika dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të parandalojnë regjimet në Teheran dhe Damask të përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme.

Anija është ndaluar 4 kilometra në jug të Gjibraltarit, në atë që Britania i konsideron ujërat e saj territoriale, megjithëse Spanja, e cila ende pretendon territorin ka thënë se ato janë ujërat spanjolle.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borell, ka thënë se konfiskimi i anijes “Grace 1” është bërë me kërkesën e ShBA-së.

Teherani e ka quajtur aksionin si “ndalim të paligjshëm”.

Irani, ka thirrur ambasadorin britanik për t’u ankuar, në atë që Teherani ka theksuar se është konfiskim i paligjshëm i një cisterne iraniane të naftës.

Konfiskimi i transportuesit vjen në një kohë të tensioneve të larta midis Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, në maj të vitit 2018 është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Irani e kishte nënshkruar me fuqitë botërore dhe ka filluar rivendosjen e sanksioneve që u lehtësuan në këmbim për uljen e programit bërthamor të Teheranit.

Ditë më parë, Irani ka rrëzuar një dron amerikan dhe tashmë ka bërë të ditur se do të rrisë nivelet e uraniumit të pasuruar, duke nxitur reagimin e vendeve perëndimore.

ShBA-ja ka thënë se “kurrë nuk do ta lejojë Iranin të posedojë armë bërthamore”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 26 korrik nga ora 19:00 në “Ranch Resort” në…