Ministrja Bajrami tregon se a do të mbahet testi i maturës në qershor
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar që testi i maturës do të mbahet në muajin qershor.
Bajrami ka theksuar se nëse testi mbahet, do të respektohen masat e duhura.
“Ne ende nuk kemi marrë vendim si Ministri e Arsimit nëse testi i maturës do të mbahet ose jo. Ju keni parë tani që rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të Ministrisë së Shëndetësisë që gjendja dhe masat do të shkojnë duke u liruar dhe ka shumë gjasa që testi të mbahet në muajin qershor konform vlerësimit të situatës me Covid-19.
Në qoftë se kemi përmirësim të gjendjes, padyshim që testi do të mbahet, por mund të ndodhë që të kemi një përkeqësim andaj ne po përgatitemi për skenar tjetër”, ka thënë Bajrami për Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se janë duke shikuar mundësitë edhe për mënyrën logjistike të organizimit të maturës. “Tani ne kemi komisionin tjetër shtetëror të maturës në kuadër të MAShTI-t, i cili do takohet dhe do të diskutojë për të dy skenarë dhe do të shohim se kur mund ta vendosim një datë tentative.
Gjithashtu, do të përgatitemi për mënyrën dhe logjistikën e organizimit të komplet testit të maturës. Derisa nuk ka një vendim për anulim, nxënësit duhet ta marrin që testi mbahet”, tha ajo.
Ministrja ka sqaruar se vendimi do të vlejë edhe për testin e arritshmërisë.
“I njëjti vlen edhe për testin e arritshmërisë, i cili është koonform vlerësimit të situatës epidimiologjike”.
MAShTI që nga data 23 mars ka filluar të mbajë mësim online.



