Nagavci nis punën si ministre e Arsimit dhe Shkencës
Arbërie Nagavci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka pranuar detyrën e ministres së Arsimit dhe Shkencës.
Me këtë rast, ministri i deritashëm i kësaj ministrie, Ramë Likaj, ia ka uruar Nagavcit detyrën e re, duke kërkuar nga ajo që t’i vazhdojë punët e mira në fushën e arsimit.
“Uroj e shpresoj që do të vazhdohen punët e mira dhe vendi ynë do të numërojë edhe shumë të arritura të tjera në fushën e arsimit”, ka shkruar Likaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Likajt:
Me përgjegjësinë dhe konsideratat më të larta i dorëzova detyrën e Ministres së Arsimit dhe Shkencës zonjës Arbërie Nagavci.
Gjithsesi, përpjekjet e mia për të kontribuar në fushën e arsimit do t’i vazhdojë edhe më tutje.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës si institucion në këto kohë sfiduese me pandeminë pati dhe ka sfida të panumërta para vetes. Pavarësisht kësaj, ne kemi nisur shumë punë të mbara e gjithmonë ka vend për të bërë më shumë.
Uroj e shpresoj që do të vazhdohen punët e mira dhe vendi ynë do të numërojë edhe shumë të arritura të tjera në fushën e arsimit.
Të gjithëve na bashkon qëllimi i arritjes së cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim. Të gjithë ne kalojmë në procesin e arsimimit që na përcakton të ardhmen dhe parametrat e zhvillimit shoqëror.



