Xhaçka: Shqipëria pritet të hapë ambasadë në Ukrainë
Shqipëria dhe Ukraina festojnë sot (e enjte) 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka zgjedhur që në mesazhin e saj të vlerësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të njoftojë dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit përmes hapjes së ambasadës shqiptare në Ukrainë.
“Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim, Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, ka shkruar Xhaçka në “Twitter”.
Postimi i plotë i Xhaçkës:
Kanë kaluar 30 vjet që kur Shqipëria dhe Ukraina vendosën marrëdhëniet diplomatike si dy vende që dolën nga tirania në botën e lirë.
Sot ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë Ukrainës si miq të vërtetë në anën e duhur të historisë. Rezistenca heroike e Ukrainës është një luftë për liri dhe refuzim i një rikthimi në tiraninë nga e cila kemi dalë të dyja vendet shumë kohë më parë.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë .
Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen euroatlantike.
Me rastin e këtij 30-vjetori, jam e lumtur të njoftoj se Shqipëria do të rrisë nivelin e saj të përfaqësimit në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë.
Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim, Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen.
1/4 It has been 30 years since #Albania 🇦🇱& #Ukraine 🇺🇦 established diplomatic relations as two countries emerging from tyranny into the free world. Today we are proud to stand by #Ukraine as true friends on the right side of history. pic.twitter.com/CIKCfYmAXX
— Olta Xhaçka (@xhacka_olta) January 12, 2023



