Shiroka-Pula: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas zgjedhjes në këtë pozitë, ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Shiroka-Pula tha se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi, duke theksuar se mandati i saj u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha ajo.
Presidentja e re u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, etnike apo shoqërore.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh Shiroka-Pula.
Ajo theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj si shtet demokratik, me orientim euroatlantik dhe marrëdhënie të forta me aleatët.
“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja Shiroka-Pula.



