Skandali i Berishajt, temë kryesore në televizionin shtetëror slloven

24 shkurt 2023 | 08:40

Emisioni “Tarča”, ose kthyer në shqip “Objektivi”, që transmetohet në “Prime Time” të televizionit shtetëror slloven, ka bërë jehonë gjithandej vendit gjatë të enjtes mbrëma.

Temë diskutimi ishte GEN-i, gjegjësisht operacionet e kësaj kompanie në Ballkan, me atë më të përfolurën muajt e fundit, Prishtinën.

Panelistë ishin Maks Helbl, kreu i bordit të GEN-it, Zijad Beçiroviç , drejtori i IFIMES, lobisti Miloš Čirič dhe ish-drejtoresha e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Klaudija Stroligo. Interesant është fakti se kryeministri aktual, Robert Golob, ishte gjithashtu i ftuar, por nuk mori pjesë në emisionin e drejtuar nga Erika Žnidaršič.

Biseda filloi me faktin se në zyrën e GEN-it në kryeqytetin kosovar nuk është askush. Siç thuhet, ekipi i emisionit ka pyetur në adresën me numër 14 të rrugës “Gustav Majer” në Prishtinë, por nuk ka gjetur asgjë.

Madje aty gazetari gjeti një fotokopje, pronari i së cilës iu drejtua: “GEN nuk është këtu. Nuk është këtu”.

Tutje, raportimi vazhdoi me faktin se vetëm një kilometër larg nga aty, është qendra e regjistrimit të bizneseve. Kompania në pronësi të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci dhe figurës së njohur në Slloveni, MB Consulting, u bë pjesë e ballinave të medieve pak para zgjedhjeve parlamentare kur u publikuan transaksionet financiare.

Por, “kleçka” është dikah tjetër. Paratë Berishajt i kanë ardhur nga GEN-i në Beograd, që ka vetëm katër punëtorë të regjistruar e miliona qarkullim. Diskrepancë e theksuar mes njërës dhe tjetrës, gjë që ngjall dyshime gjithsesi.

Më pas u diskutuan edhe tërheqjet e Berishajt, gjë për të cilën gazeta “Nacionale” kishte raportuar vazhdimisht.

Në “Objektiv” u përmend edhe fakti se Berishaj kishte bërë një transaksion prej 8500 eurosh për një kompani “Myloja”, ku pronarë ishin edhe sllovenët Anton Černe dhe Janez Bukovnik, të dy këta ish-drejtues të Lotarisë Sportive Sllovene.

Jo vetëm kaq. Një tjetër slloven doli në pah. Bëhet fjalë për Erazem B. Pintar. Me 85 % të aksioneve, Pintar është pronar i dikur kompanisë së Berishajt, “Zaslon Kosova”.

Në një bisedë telefonike për TV Slovenia, ai tha se nuk e mban mend të ketë hapur kompani në Kosovë, ndërsa shtoi se vetëm një herë e kishte takuar Berishajn.

Ekipi i emisionit kishte tentuar të flasë edhe me Berishajn, por pa arritur fare te ai. Mesazhe telefonike, thirrje, posta elektronike, të dërguara edhe në zyrën e ambasadës në Kroaci, por sërish asnjë përgjigje.

Raportimet e Planet TV për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishajt në skandalin e madh financiar, ishin dërguar në Gjykatë për shpifje nga Berishaj.

Pas vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë e Gjykatës në Slloveni ia ka refuzuar ankesën ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, i cili e ka publikuar edhe vendimin.

“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoi se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.

Martin Berishaj kishte pretenduar se raportimet për përfshirjen e tij në këtë skandal ishin shpifje. Megjithatë, është hera e dytë që gjykata ia refuzon ankesën ambasadorit Berishaj.

Këtu duhet përmendur faktin se në të katër shtetet ku është i përfshirë GEN-i po zhvillohen hetime, por “Objektivi” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Serbia e Kosova.

Më poshtë edhe përgjigjet e secilit shtet veç e veç.

Serbi – Agjencia për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk i komenton rastet, prokuroria nuk merret me rastin, policia nuk ka nisur hetime

Mali i Zi – Institucionet kompetente nuk kanë dërguar përgjigje.

Shqipëri – Njësia kundër pastrimit të parave nuk komenton, policia dhe prokuroria heshtin.

Kosovë – Zyra nuk jep deklarata, policia dhe prokuroria gjithashtu nuk janë përgjigjur. Mirëpo, komisioni i Kosovës kundër korrupsionit ka bërë kallëzim në prokurorinë vendore kundër Martin Berishaj për fshehje të pasurisë.

Historiku

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë, ku dyshohet për shpërlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven Planet TV në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Washington Post publikoi një artikull, duke analizuar ndarjet globale në botën…