Hamdi Namani mbyll sezonin pas dëmtimit në ndeshjen Gjilani – Prishtina
SC Gjilani ka marrë një lajm të hidhur pas ndeshjes ndaj FC Prishtinës, pasi futbollisti Hamdi Namani ka pësuar një dëmtim të rëndë që e detyron të mbyllë sezonin.
Klubi ka njoftuar zyrtarisht se Namani është lënduar në regjionin e gjurit gjatë përballjes së fundit. Pas kontrolleve dhe ekzaminimeve mjekësore të kryera, është konfirmuar se ai ka pësuar rupturë të ligamentit medial kolateral (MCL), një dëmtim serioz që kërkon kohë të gjatë rehabilitimi.
Si pasojë e kësaj lëndimi, lojtari do t’i nënshtrohet trajtimit dhe procesit të rikuperimit sipas protokollit mjekësor, ndërsa sezoni aktual konsiderohet i mbyllur për të.
Nga klubi është bërë me dije se Namani do të ketë mbështetjen maksimale gjatë gjithë fazës së rehabilitimit, teksa i ka uruar shërim të shpejtë dhe rikthimin në fushën e blertë.
“Klubi do të vazhdojë ta mbështesë Namanin maksimalisht gjatë procesit të rehabilitimit dhe njëherit i urojmë shërim sa më të shpejtë”, është thënë në njoftimin e SC Gjilani.
Hamdi Namani është në huazim nga Prishtina te Gjilani deri në fund të sezonit.



