Hyseni: Të hyrat tatimore u rritën mbi 12%, ekonomia joformale në rënie
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka deklaruar se ky institucion ka shënuar rritje të vazhdueshme të të hyrave tatimore në vitet e fundit, ndërsa theksoi se një nga faktorët kryesorë është zvogëlimi i ekonomisë joformale dhe rritja e transparencës në proceset e punës.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Hyseni ka thënë se ATK-ja ka arritur të mbajë një trend të rritjes së të hyrave tatimore rreth 13 për qind në vit gjatë katër viteve të fundit. “ATK-ja ka shënuar një ngritje mesatare prej rreth trembëdhjetë për qind të të hyrave nga viti në vit. Edhe këtë vit, në dy muajt e parë, kemi rritje rreth 12.25 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, ky trend është arritur edhe përkundër skepticizmit fillestar të disa partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësonin se rritja e të hyrave nuk mund të tejkalonte ritmin e rritjes ekonomike.
Ai ka theksuar se diferenca mes rritjes ekonomike dhe rritjes së të hyrave tatimore tregon se ekonomia joformale është zvogëluar ndjeshëm në Kosovë. “Kur e krahasojmë rritjen ekonomike prej rreth katër deri pesë për qind me rritjen e të hyrave tatimore, kjo diferencë tregon se ekonomia joformale është zvogëluar”, është shprehur Hyseni.
Hyseni ka theksuar se norma e tatimit në Kosovë është ndër më të ulëtat në rajon dhe në Evropë, duke bërë thirrje që bizneset të deklarojnë dhe paguajnë tatimet në mënyrë të rregullt. “Norma e tatimit në Kosovë është rreth 10 për qind dhe është ndër më të ulëtat në rajon. Me këtë normë të ulët nuk duhet të ketë arsye për shmangie tatimore”, ka thënë ai.
Drejtori i ATK-së ka pohuar se një nga prioritetet kryesore të institucionit është digjitalizimi i shërbimeve dhe rritja e transparencës për bizneset dhe qytetarët.
Aktualisht, sipas tij, ATK-ja ofron dhjetëra shërbime elektronike që mundësojnë deklarimin dhe pagesën e tatimeve pa pasur nevojë për paraqitje fizike në institucion. “Sot kemi rreth 59 shërbime elektronike për tatimpaguesit dhe rreth 3.7 milionë deklarime bëhen në mënyrë elektronike”, ka deklaruar Hyseni
Ai ka shtuar se synimi i ATK-së është që numri i këtyre shërbimeve të rritet në rreth 64 gjatë këtij viti, në mënyrë që proceset për bizneset të bëhen më të thjeshta dhe më efikase.
Hyseni ka vlerësuar se ATK-ja ka ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së bizneseve për kontrolle, duke eliminuar qasjen subjektive dhe duke u bazuar vetëm në analizën e riskut. “Njëqind për qind e kontrolleve bëhen sipas vlerësimit të riskut. Nuk ka kontroll që bëhet në mënyrë subjektive”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kjo qasje ka ndihmuar në rritjen e besimit të bizneseve ndaj institucionit.



