Deputetët i frikësohen zgjedhjeve të reja, theksojnë nevojën e stabilitetit institucional
Stabilitet institucional përmes zgjedhjes së presidentit është kërkuar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane para thirrjes për diskutim të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian për rrugën evropiane të Kosovës.
Në diskutimin që ky komision ka bërë të mërkurën për Planin e Punës është theksuar se ka shqetësim të deputetëve se sa do të jetë jetëgjatësia e legjislaturës së dhjetë pas mospajtimeve të partive politike për ta zgjedhur presidentin. Pasi kanë mbetur edhe 27-të ditë afat kushtetues për ta zgjedhur të parin e vendit, deputetët, anëtarë të këtij komisioni, kanë thënë se shpresojnë që të gjendet një zgjidhje për kryetarin e shtetit.
Kryetarja e komisionit, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami është shprehur skeptike që ambasadorët do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së komisionit për diskutim, pasi sipas saj çështja e stabilitetit institucional është kusht për secilin hap të integrimit në BE. “Ambasadorët i thërrasim pasi ta zgjedhim presidentin. Për besë nuk e besoj as që na vizitojnë. Çështja e stabilitetit institucional është gati kusht për secilin hap në integrimin evropian. Unë po shpresoj shumë që ne kemi me arritur ta zgjedhim. Është prioritet mbi prioritete, pasi ne kur po e planifikojmë punën, asnjëri nuk po jemi të sigurt, pasi po e dimë ngërçin që ka ndodhur muajin e kaluar dhe po e dimë që Kuvendi i Kosovës s’ka qenë aktiv prej dhjetorit të vitit 2024. Ky është një lloj shqetësimi, pasi nëse s’kemi hapa konkretë, sa do të jetë jetëgjatësia e kësaj legjislature? Unë kam frikë që duket joserioze edhe ftesa nga ana jonë”, ka thënë Bajrami.
Mirëpo, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka thënë se ata janë të hapur për të zgjedhur presidentin. “Ne jemi të hapur me zgjedh presidentin. Unë po gëzohem që kjo është prioritet”, ka thënë Gashi.
Duke iu kundërpërgjigjur deputetes së mazhorancës, Hykmete Bajrami, ka thënë se shpreson që të gjithë deputetët të bëjnë një zgjidhje për presidentin, e më pas ajo e ka ndryshuar deklarimin e saj duke iu drejtuar deputetes së LV-së me fjalët: “po shpresoj që do të mund të bëni ndonjë zgjidhje”.
Në anën tjetër, ajo ka folur edhe për mbarëvajtjen e punës së këtij komisioni, ku ka thënë se është e nevojshme që kryenegociatori i Kosovës për integrim në BE, Jeton Zulfaj të raportojë në komision. “Caktimi i ministrave në raportim apo vizitat në ministri të ndodhin pas takimit me kryenegociatorin, ku ne prej tij do të kërkonim agjendën e reformave rreth Planit të Rritjes dhe zbatimit të të gjitha kushteve. Të shohim pastaj se cila prej ministrive ka bërë progres ose ka ndonjë ngecje në realizimin e programit të reformave”, ka thënë Bajrami.
Kërkesë të ngjashme ka parashtruar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka thënë se është e nevojshme që të ketë transparencës në procesin integrues. “Ajo çfarë është me rëndësi, kryenegociatori duhet me qenë transparent dhe të vijë para komisionit të raportojë, ndoshta edhe para fillimit të negociatave, dhe të bëhet e ditur se cila është agjenda e diskutimit apo e ndonjë takimi që mbahet, qoftë bilateral apo trilateral në Bruksel”, ka thënë Kadrijaj.
Pas këtij diskutimi, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, kanë miratuar agjendën e punës së këtij komisioni.



