Ndërron jetë ish-luftëtari i UÇK-së, Faik Dodaj

08 qershor 2026 | 01:07

Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faik Dodaj. Për vdekjen e tij ka reaguar ish-bashkëluftëtari Faton Mehmetaj, i cili e kujtoi Dodajn si profesor, mik të çmuar dhe veprimtar të përkushtuar të çështjes kombëtare.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, mikut tim të çmuar dhe bashkëluftëtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Faik Dodaj, i cili do të jetojë bashkë me ne, në zemrat dhe mendjet tona, për jetë e mot.

Emri i Faik Dodajt është pjesë e historisë kombëtare, por edhe e ndërtimit të institucioneve të shtetit tonë të ri me histori të lashtë. Faiku do të kujtohet si komandant i UÇK-së në Baballoq, por edhe si pjesë e Shtabit të Gllogjanit dhe e luftës së lavdishme të UÇK-së.

E gjithë jeta e Faikut ishte në shërbim të atdheut. Ai la gjurmë të pashlyeshme te miqtë e shokët, te nxënësit e kolegët, te bashkëluftëtarët dhe te të gjithë ata që e njohën dhe rrugëtuan me të.

Familja, të afërmit, shokët dhe miqtë humbën një burrë të madh, i cili la pas një zbrazëti që vështirë se mund të kompensohet. Mbi 40 vjet punuam e vepruam bashkë, prandaj lajmi për vdekjen tënde ishte i rëndë.

Lamtumirë, Faik Dodaj. Dritë të pastë shpirti, profesor Faik Dodaj”, thuhet në njoftimin mortor të Faton Mehmetajt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me 99.12% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje tashmë nuk…