Selim Pacolli paralajmëron lëvizje në LDK: A po bëhet gati Përparim Rama për ta marrë drejtimin e partisë?
Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës nga AKR-ja, Selim Pacolli, ka hedhur dyshime se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mund të jetë duke u përgatitur për një rol më të madh politik brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli tha se Rama tash e një kohë është përfshirë në përplasje të vazhdueshme me Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Ka kohë që Përparim Rama është futur në ‘luftë’ me Qeverinë e Albin Kurtit. Duke filluar nga akuzat dhe kundërakuzat për bllokim fondesh, bllokim të punimeve në shesh dhe në unazën e kryeqytetit, e deri te akuzat e fundit për mosmirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe autostradave në vend”, ka shkruar Pacolli.
Ai ngriti edhe pyetjen nëse këto zhvillime lidhen me ambicie të reja politike të Ramës brenda LDK-së.
“Meqë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sikur ia ‘dorëzoi’ stafetën e kryetarllëkut të pishmanxhikes Vjosa Osmani, a nënkupton kjo se Përparim Rama po bëhet gati për sfida të reja politike? A po synon ai postin e të parit të LDK-së?”, ka shkruar Pacolli.




