Zyrtare: Granit Xhaka mbetet te Sunderland, do të udhëheqë ekipin në Premier League dhe Evropë
Saga e transferimit të Granit Xhakës ka marrë fund. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane do të vazhdojë karrierën te Sunderland, duke i dhënë fund spekulimeve që e lidhnin me një transferim te Chelsea. Interesimi i klubit londinez ishte konkret, sidomos pas ardhjes së Xabi Alonsos në stolin e Chelseat. Trajneri spanjoll dëshironte të ribashkohej me Xhakën, me të cilin kishte bashkëpunuar me shumë sukses te Bayer Leverkusen. Megjithatë, Sunderland nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Klubi anglez refuzoi ofertën e Chelseat dhe bëri të qartë se Xhaka nuk është në shitje. Mesfushori 33-vjeçar është nën kontratë deri në verën e vitit 2028 dhe konsiderohet pjesë kyçe e projektit sportiv të Sunderlandit. Me këtë vendim, tashmë është e qartë se Granit Xhaka do të mbetet edhe për të paktën një sezon në “Stadium of Light”. Ai do të vazhdojë të jetë lideri i padiskutueshëm i skuadrës, si në Premier League, ashtu edhe në garat evropiane, ku Sunderland synon të lërë gjurmë pas rikthimit në skenën kontinentale.
Për Sunderlandin, mbajtja e Xhakës është një fitore e madhe. Përvoja, karakteri dhe cilësitë e tij si lider kanë qenë vendimtare në ngritjen e ekipit dhe klubi nuk dëshiron të humbasë futbollistin që konsiderohet zemra e mesfushës. Ndërkohë, Chelsea dhe Xabi Alonso do të duhet të kërkojnë alternativa të tjera për repartin e mesfushës, pasi një ribashkim me Granit Xhakën nuk do të ndodhë këtë verë. Gjithçka tregon se sezoni i ardhshëm do ta gjejë Granit Xhakën sërish me fanellën e Sunderlandit, aty ku do të vazhdojë të udhëheqë ekipin me përvojën, autoritetin dhe shpirtin e tij luftarak./Epoka e re/.



