Prishtina konfirmon zyrtarisht nënshkrimin me Albin Krasniqin
Klubi kryeqytetas, Prishtina, ka njoftuar zyrtarisht se ka nënshkruar kontratë të përhershme me mesfushorin me tipare sulmuese, Albin Krasniqi.
Pas një huazimi gjashtëmujor nga klubi ukrainas Kolos, Prishtina ka vendosur ta blejë kartonin e futbollistit nga Kaçaniku dhe ta bëjë pjesë të përhershme të skuadrës bardhekaltër.
Lajmi është bërë me dije nga klubi më i trofeshëm i Kosovës, i cili ka konfirmuar marrëveshjen me Krasniqin.
Mesfushori ofensiv nuk është një emër i panjohur për Prishtinën, pasi ai edhe më herët ka qenë pjesë e këtij klubi, duke kontribuar në arritjen e rezultateve të mira dhe duke fituar edhe trofe me fanellën bardhekaltër.
“Rrugëtimi i Albin Krasniqit me fanellën bardhekaltër vazhdon. Mesfushori ofensiv ka nënshkruar kontratë me Prishtinën, pasi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e skuadrës si i huazuar nga klubi ukrainas Kolos”, ka njoftuar Prishtina.
Me këtë marrëveshje, Prishtina vazhdon punën për konsolidimin e skuadrës dhe përforcimin e repartit ofensiv para sfidave të reja në sezonin e ardhshëm.



