Xhaka u provokua me flamur të Serbisë në duelin me Kolumbinë
Zvicra siguroi kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike ndaj Kolumbisë. Pas 120 minutash lojë pa fitues, gjithçka u vendos nga penalltitë, ku zviceranët triumfuan me rezultat 4:3.
Heroi i mbrëmjes ishte portieri Gregor Kobel, i cili në serinë e katërt priti penalltinë e Cucho Hernandez dhe i siguroi Zvicrës kalimin mes tetë skuadrave më të mira.
Kapiteni Granit Xhaka gjuajti i pari për Zvicrën dhe shënoi me qetësi nga pika e bardhë.
Megjithatë, gjatë përgatitjes së tij për të gjuajtur penalltinë, kamerat kapën një moment që tërhoqi vëmendjen.
Mes tifozëve të Kolumbisë u shfaq një flamur i Serbisë, ndërsa një tifoz nisi ta valëviste pikërisht në momentin kur Xhaka mori hov për goditjen e topit.
Ky veprim u interpretua nga shumë persona në rrjetet sociale si një përpjekje për ta provokuar dhe për t’i shtuar presion kapitenit të Zvicrës.
Megjithatë, 33-vjeçari mbeti plotësisht i qetë dhe e dërgoi topin në rrjetë pa asnjë hezitim.
Shfaqja e flamurit serb ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale. Një pjesë e tifozëve e konsideruan atë si provokim ndaj Xhakës, ndërsa të tjerë theksuan se nuk mund të konfirmohet se kujt i drejtohej flamuri.
Nuk dihet se kush ishte personi që e mbante atë dhe nëse veprimi ishte vërtet i drejtuar ndaj kapitenit të Zvicrës.
Për shkak të prejardhjes së tij shqiptare, Xhaka ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes në ndeshjet ose situatat që lidhen me Serbinë.



