Shefik Sadiku: Lamtumirë, Ekrem Qamil Basha, e mbyllët një epokë të jetës
EKREM BASHA (1953–2026)
Më 7 korrik 2026 u nda nga ne Ekrem Qamil Basha, inxhinier i xehetarisë nga fshati Hodonoc. Lajm i dhembshëm jo vetëm për banorët e Hodonocit, por edhe për të gjithë ata që e njohën. Ekremi lindi më 1953 në fshatin Hodonoc. Shkollën fillore, ciklin e ulët, e mbaroi në fshat, ndërsa ciklin e lartë në Rogacicë.
Shkollën e mesme e mbaroi në Kamenicë.
Gjatë shkollimit tregoi zotësi të veçantë dhe rezultate të shkëlqyera. Për këtë arsye, më 1972 u regjistrua në Fakultetin e Xehetarisë të Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Megjithatë, në vitin 1974 Fakulteti i Xehetarisë u bart në Mitrovicë, ku Ekremi e përfundoi me sukses më 1977, madje në afat rekord. Duke i vlerësuar aftësitë e tij profesionale, menjëherë e punësuan në Minierën e Kishnicës, ku punoi deri në vitin 1980. Më pas, duke qenë ndër kuadrot e para të xehetarisë në Komunën e Kamenicës, iu propozua të punonte në Minierën e Sinter-Magnezitit në Strezoc.
Ekremi ishte i dashur me të gjithë, por edhe me punëtorët e Fabrikës së Magnohromit, pjesë e së cilës ishte edhe miniera. Ai kishte marrëdhënie të mira shoqërore me të gjithë punëtorët, por edhe me qytetarët e Kamenicës. Atij iu nda edhe një banesë në Kamenicë. Nuk e la punën në Minierën e Strezocit dhe ishte një ekspert i jashtëzakonshëm. Megjithatë, pushtuesit jugosllavo-serbë larguan shumë punëtorë nga marrëdhënia e punës, duke e goditur atë jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë kombëtar.
Pas Grevës së Minatorëve të Kosovës në shkurt 1989, gjegjësisht pas suprimimit të autonomisë politike dhe juridike të Kosovës më 1989 dhe themelimit të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës më 1990, pushtuesit filluan ta shkatërronin klasën punëtore të Kosovës. Krahas kësaj, në aspektin ekonomik vazhdonin shfrytëzimin e xeheve dhe të punëtorëve të Kosovës. Megjithatë, këta vendosën të qëndronin besnikë deri në çlirimin e Kosovës nga UÇK-ja dhe aleatët, në krye me SHBA-në, prej pushtuesve jugosllavo-serbë.
Kështu edhe ndodhi. Ekremi dhe shumë kuadro qëndruan në vendet e punës. Pas çlirimit të Kosovës, me ekonominë e vendit, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, udhëhiqte administrata e UNMIK-ut. Ekremi dhe shumë punëtorë mbetën pa punë. Jetuan në kushte të rënda. Pasi AKM-ja, me spin-off special dhe forma të tjera, pjesërisht e shkatërroi ekonominë e Kosovës, e cila edhe ashtu ishte e dëmtuar nga shovinizmi serb, ai nuk u dorëzua. Punoi në Magnohrom (Minierën e Sinter-Magnezitit) deri në vitin 2002/03. Si ekspert që ishte, pas privatizimit punoi disa vite në kompaninë “Bejta Comerc” në Gjilan.
Megjithatë, ishte i kënaqur, sepse pas të gjitha sakrificave, Republika e Kosovës më 2008 u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Ekremi ishte i martuar. Me bashkëshorten kishte katër fëmijë, të cilëve u la pas një trashëgimi kulturore dhe një qytetari të denjë për rrethanat shqiptare të kohës sonë. Më 8 korrik 2026, Ekremi u varros në varrezat e fshatit Hodonoc, i përcjellë nga shumë bashkëqytetarë, jo vetëm nga Hodonoci e Dardana (ish-Kamenica), por edhe nga një numër i madh shokësh të punës nga vendet ku kishte punuar. Lamtumirë, Ekrem Qamil Basha! E mbyllët një epokë të jetës. Ndihemi krenarë që jetuam në rrethana afërsisht të njëjta shoqërore e kombëtare dhe që ia dolët deri në ditët e sotme.
Ngushëllime familjes Basha!
Le të rrojë kujtimi për Ekrem Bashën, për jetë e mot!
9 korrik 2026, Prishtinë
Shkruan: Shefik Sadiku



