MËRGATA E SHQIPTARËVE DHE MËRGATA E QYQEVE
Shkruan: Xhevat Gjini
Rikthimi i qyqeve në skenën e Mërgatës shqiptare më nxiti ta lexoj edhe njëherë romanin “Mërgata e Qyqeve”, që i kushtohet atyre shqiptarëve që u ndodhën dhe u angazhuan e luftuan përkrah (më shumë në bisht) të forcave nazifashiste që kishin pushtuar Atdheun tonë, rajonin, pjesën më të madhe të kontinentit e të botës. Në kohën që po agonte drita e lirisë në Atdheun e tyre, ata ikën me ushtarët e fundit nazistë dhe iu bashkuan atyre që kishin ikur, bashkë me “mbretin” e tyre në prill të vitit 1939! Pasi qëndruan kampeve të grekut, të italianit, jugosllavit…, u shpërndanë në vende të ndryshme të Evropës (kryesisht në Belgjikë, Francë, Angli, Gjermani, Austri…) dhe në SHBA e deri në Australi, duke “luftuar” prej andej për “çlirimin” e Shqipërisë (shtetit tonë kombëtar) nga Enver Hoxha! Jo pak prej tyre kishin kryer krime monstruoze gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj bashkëkombësve të tyre, duke qenë “luftëtarë” të formacioneve kolaboracioniste nazifashiste… Të tillët (kishte edhe të mashtruar) u “kapën” nga shërbimet sekrete dhe u vendosën në kampe të posaçme, ku u stërvitën dhe u përdorën mish për top, nga aleatët e djeshëm antifashistë, për “çlirimin e Republikës së Shqipërisë (një e treta e Shqipërisë) nga Enver Hoxha gjatë viteve 1945 – 1953. Gjatë këtyre viteve shërbimet sekrete (me dijenin dhe miratimin e qeverive përkatëse) kishin organizuar qindëra grupe diversantësh dhe i kishin hedhur në tokën shqiptare për ta përmbysur pushtetin – Qeverinë legale dhe legjitime të Republikës së Shqipërisë! Meqë, pushtetit i merrnin të keqen, këto grupe diversantësh kishin kryer krime të shumëta ndaj popullsisë dhe pasurisë së saj! Kjo histori, siç dihet, kishte përfunduar me dështimin e plotë të këtyre shërbimeve të huaja sekrete dhe të këtyre diversantëve – banditëve shqipfolës nga mërgata e qyqeve… Vitet dhe dekadat në vazhdim kjo mërgatë qyqesh i kishte kaluar duke bërë petulla me ujë për rikthimin e “mbretit” në fronin e tij, etj. Histori e njohur…
– Pranvera Shqiptare ’81 dhe mërgata atdhetare pas saj
Pranvera Shqiptare ’81 si me thënë “prodhoi” Mërgatën Atdhetare, e cila ishte e lidhur si mishi me thoin me pjesën e pushtuar të kombit, me idealet liridashëse dhe me përpjekjet, veprimtarinë dhe me Luftën Çlirimtare. Organizatat patriotike kishin dërguar veprimtarë dhe drejtues të tyre të zgjedhur në Perëndim për ta organizuar Mërgatën shqiptare, që atëherë përbëhej kryesisht nga punëtorë krahu. Pas Pranverës Shqiptare ’81 angazhimi dhe përpjekjet për organizimin politik të Mërgatës shqiptare (pa atë pjesën e qyqeve) kishin marrë dimension kombëtar, motivim dhe vendosmëri si kurrë më parë… Në ballë të këtyre përpjekjeve për bashkimin politik të organizatave patriotike dhe të Mërgatës shqiptare ishin vënë: Kadri Zeka, Vëllezërit Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi. Angazhimi i tyre rezultoi me krijimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Dokument themeltar për bashkimin politik të atyre organizatave patriotike dhe për krijimin e LPK – së (emërtimi i fundit) ishin “Tezat për Frontin e Republikës së Kosovës”, të hartuara nga OMLK – ja…
Organizata politike – çlirimtare, që u krijua nga ky bashkim, mori përgjegjësinë historike për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, siç thuhet në BETIMIN e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u themelua, u strukturua, u drejtua, u përfaqësua dhe u financua nga LPK – ja. Në maj të vitit 1998 UÇK – së dhe Luftës Çlirimtare iu bashkua edhe LKÇK – ja… Në vazhdim Lufta Çlirimtare e UÇK-së fitoi përkrahjen dhe respektin e mbarë kombit në rajon dhe në botë. Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe Çlirimtare e pjesës së pushtuar të kombit e kishte gjithmonë dhe në çdo rrethanë përkrahjen dhe mbështetjen e shtetit tonë kombëtar, – Republikës së Shqipërisë… Vetëm mërgata e qyqeve mbeti përsëri në anën e gabuar të historisë, ishte dhe mbeti në anën e kolaboracionistëve shqipfolës jugokosovarë që u organizuan në LDK (pasi ishin shkatërruar partia (LKJ), ideologjia dhe shteti i tyre i dashur jugosllav!
Kam përshtypjen (qofsha i gabuar) që ky kontigjent jugokosovarësh e jugokomunistësh, bashkë me pjellën e tyre, e nuhatën rënien e LDK-së së tyre dhe u kapën (fillimisht) pas LVV – së, të cilën sot, mund të themi pa frikë se po gabojmë, e kanë kapur dhe e “administrojnë” në të gjitha nivelet… Është ky kontigjent që e ka lidhur pas qerres së tij edhe kontigjentin e jugokomunistëve të Shkupit. Të dyja këto kontigjente janë lidhur me kontigjentin kolaboracionist – esadist ose pjellën e tij në Tiranë…
– Mërgata e qyqeve të reja
Neve, kësaj here më shumë na intereson ajo pjesë e këtyre kontigjenteve që janë jashtë vendit, – mërgimtarët… Po i ndjek me vëmendje deklaratat, qëndrimet, lëvizjet dhe organizimet e tyre ala mërgatë e qyqeve për rrëzimin e Qeverisë legale dhe legjitime, më saktë për destabilizimin e shtetit tonë kombëtar,- Republikës së Shqipërisë! Të gjithë këta, me ndonjë përjashtim të vockël, sot janë “aktivistë” të “devotshëm” të LVV – së biniste, të multi VLEN – it, të PDSH – së berishiste dhe të partizave të këtij krahu, që ishin dje dhe janë edhe sot në anën e gabuar të historisë… Dekor ose stoli e kësaj mërgate qyqare janë bërë edhe disa veprimtarë dhe atdhetarë të dikurshëm!!
Mërgata e dy dekadave të fundshekullit XX nuk u bë kurrë pjesë e fushatave dhe veprimtarive kundër shtetit tonë kombëtar. Mërgata e atyre dy dekadave ishte e përfshirë në fushata dhe veprimtari të organizuara për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë…
Pjesa e mërgatës, fatmirësisht pakicë, që sot po angazhohet për rrëzimin e Qeverisë legale dhe legjitime në Tiranë, për destabilizimin e Republikës së Shqipërisë, ma kujton mërgatën e qyqeve… Në kohën kur Kosova shqiptare përballet me shumë probleme të brendshme politike, ekonomike e sociale dhe me ndërhyrje e kërcënime nga jashtë, “burrat” e LVV – së dhe të grupeve religjioze – shqiptarofobe janë mobilizuar për t’i “zgjidhur” problemet e shtetit tonë kombëtar!? Në kohën kur populli shqiptar në Maqedoni përballet me shtypje, padrejtësi e probleme të mëdha ekonomike e sociale, “trimat” e LVV – së e të VLEN – it janë angazhuar për “stabilizimin” dhe “mirëqenien” e shtetit tonë kombëtar!? Dhe, sidomos, në kohën kur shqiptarët autoktonë në Serbi e Mal të Zi (të mos flasim për shqiptarët në Greqi e Turqi) po luftojnë për jetë a vdekje (të jenë a të mos jenë?) janë ngritur “aktivistët” e LVV – së e të VLEN – it, kryesisht me origjinë jugokosovare e jugokomuniste, për ta “drejtuar” shtetin tonë kombëtar, për ta përmbysur me kryengritje – revolucion pushtetin – Qeverinë në Tiranë, njësoj si dikur mërgata e qyqeve!?
Do të ishte në nderin dhe krenarinë e këtyre “aktivistëve” po të angazhoheshin e të derdhnin energji për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore politike, ekonomike, qytetare e kombëtare të bashkëkombësve të tyre në Maqedoninë tonë, në Mal të Zi, në Serbi, Greqi, Turqi, etj. Do të ishte e kuptueshme dhe e dëshirueshme që këta “aktivistë patriotë” të angazhoheshin për ndërtimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës me shtetin tonë kombëtar dhe për forcimin e unitetit kombëtar ndërshqiptarë deri në zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare… Do t’i bënin nder vetit dhe kombit sikur këta “burra” të LVV-së e të VLEN – it të angazhoheshin e të derdhnin energji pa u kursyer për krijimin e një Ministrie Kombëtare për Mërgatën, për organizimin e shkollave shqipe dhe për ngritjen e qendrave kulturore shqiptare (në vend të qendrave të huaja fetare)… Nder i madh do të ishte për këta njerëz po të angazhoheshin për krijimin e ndërmarrjeve – bizneseve në Atdhe dhe për kthimin e sa më shumë të rinjve nga mërgimi… Ka edhe nja 100 veprimtari tjera me interes për Atdheun që do t’ju nderonin juve që po bëni fushatë, propagandë dhe veprimtari kaq absurde kundër shtetit tuaj e tonit kombëtar… Prandaj, thirrni mendjes dhe hiqni dorë nga kjo veprimtari antishqiptare, nëse nuk doni të mbani në ballë vulën prej jugokosovarësh e jugokomunistësh dhe nëse nuk doni t’i zini vendin mërgatës së qyqeve…




