Mbrëmje poetike me poeten Ilirjana Baraliu Lladrovci në Fellbach
Fellbach, 11 korrik 2026 Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart organizoi në Galerinë e Qytetit në Fellbach një mbrëmje poetike me poeten Ilirjana Baraliu Lladrovci, aktivitet që mblodhi dashamirës të letërsisë, kulturës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Programi u drejtua me profesionalizëm nga moderatorët Rilinda Gega dhe Naser Vrella, të cilët, përmes një komunikimi të ngrohtë dhe përjetues, i dhanë mbrëmjes një rrjedhë dinjitoze dhe artistike.
Në emër të Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare, studenti Edon Rafuna përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjet e dëshmorëve dhe ish veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se sakrifica e dëshmorëve dhe lufta heroike e UÇK-së, e mbështetur nga ndërhyrja e NATO-s, sollën lirinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, themelet e të cilit janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Poetja Ilirjanë Baraliu Lladrovci lexoj disa nga poezitë e saj të përfshira në veprën “Këngët e Shekullit Kallkan”, e cila së fundmi është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Përmes projektorit u prezantua një përmbledhje e librit, e përgatitur nga z.Arben Veselaj, si dhe u transmetuan recitime artistike të poezive nga znj.Arbana Qiriqi, kryeredaktore e Radios Kosova e Lirë.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte nga Ylber Gega, i cili lexoi një fragmet nga libri “Saga e Malmurit” të profesor Ahmet Qiriqi.
Pjesa artistike u pasurua nga rapsodët Osman Loku, Arbër Froku dhe Llesh Grabanica, të cilët interpretuan këngë kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar. Interpretimet e tyre u pritën me duartrokitje të gjata dhe emocione nga të pranishmit.
Në diskutimin e hapur që pasoi, mendimet dhe vlerësimet e tyre i ndanë Prof. Musa Ahmeti, Dr. Bekim Balidemaj, mësuesi Beqir Cikaqi, Sofie Sopa dhe Zarife Gega, të cilët vlerësuan rëndësinë e organizimeve të tilla në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës kombëtare, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Në frymën e mikpritjes tradicionale shqiptare, disa familje pjesëmarrëse kishin përgatitur gatime tradicionale dhe pije shqiptare, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë edhe më të ngrohtë e miqësore.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për Institutin e Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, duke e vlerësuar organizimin si shembull të përkushtimit në promovimin e kulturës, letërsisë dhe kujtesës historike shqiptare. Njëkohësisht, ata shprehën dëshirën që aktivitete të tilla me vlera kombëtare, kulturore dhe artistike të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në mërgatë.




