“Ministri Vitia me mindil mëndafshi, spitalet pa çarçafë”- Deputetja e LDK-së reagon ashpër për gjendjen në Pediatri
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër pas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale nga një nënë, ku shfaqet gjendja e rëndë dhe kushtet e vështira në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka akuzuar qeverinë aktuale për korrupsion dhe menaxhim katastrofal të institucioneve publike. Sipas saj, përderisa spitalet përballen me mungesa elementare, ministrat kujdesen vetëm për dukjen e tyre të jashtme.
“Spitalet pa çarçafë e pa kurrfarë shtrati, Vitia si ministër me mindil mëndafshi. Ftoj ministrin të krahasoj pak, shtratin e fëmijëve edhe mindilin e katit. Në fund të dyja paguhen me para nga ne të ngratit”, ka shkruar deputetja e LDK-së. Ymeri ka hedhur dyshime mbi mënyrën se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve, duke thënë se prioritetet e dikasterit të shëndetësisë janë të gabuara. “Pyetja është pse nuk po ndërrohen për fëmijët çarçafët e shtrati, por po vezullojnë gjithmonë e më shumë teshat e katit”, shkroi ajo.



