Pse revolucioni u shua dhe ‘xhiron’ me moton, ‘të bëjmë dhe pak dëm’?!
Nga Jakin Marena
Protesta në bulevardin qëndror të kryeqytetit po hyri në ditën e 44-tërt të saj, teksa na ka dhënë ditë pas dite pamje të ndryshme me oshilacione përsa i përket performancës e veprimit politik!
Në ditën 1 nisi si një protestë qytetare, me spunto, në pamje të parë sëpaku, për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj një qytetari në Zvërnec, që për koncidencë kishte shtetësi të dyfishtë, shqiptare e greke, për t’u kthyer në një reagim të fortë në kryeqytet në mbrojtje të zogjve të rrallë shtegtarë që verojnë herë pas here në Zvnërnec, Flamingove!
Gama e kërkesave u zgjerua, teksa protesta futi në axhendën e ‘mbrojtjes nga qeveria Rama’ edhe Pelikanin Kaçurel, breshkat e ujit si dhe pjesën tjetër të specieve, që sipas protestës ishin nën rrezik potencial!
Protesta mblodhi në gjirin e vet, të gjitha shoqatata ambientaliste e më gjërë, qytetarë të thjeshtë, përfaqësues të diasporës e deri tek këta marksistët e Vetëvendosjes dhe të VLEN, islamin politik në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut e disa nga vendet fqinje, të interesuara për konkurrencën në turizëm, të cilat marshuan në kryeqytet për ‘t’i dalë zot vendit, për të mbrojtur Shqipërinë nga shitja’ dhe sllogane të tjera si këto!
Kësaj proteste iu bashkuan dhe neomarksistët e Qorit, këta njerzit e Lapajt, të Gones që vdes për pak kryeministër, dhe mbi të gjithë të atij, të papërsëritshmit, Sali Berishës, vartësity e të cilit kishin marrë urdhër për të kapur me çdo çmim protestën, anipse kishte thirrje në bulevard, ndonëse me gjysmë zëri “Rama në burg, Berisha në burg’! Me sa duket këtë pjesën e dytë, ata që deklamonin kështu, nën zë garantonin këta të PD se ‘e kishin me shaka’!
Protestës iu bashkangjiten dhe vendet jomike dhe ato armike të Shqipërisë, përfshirë këtu Iranin e Ajatollahëve, i cili gjeti kohë që dhe mes bombave e goditjeve të forta amerikane e izraelite, të jepnin një dorë mbështetje për këtë protestë kundër ‘diktatorit Rama’, madje dhe të replikonin direkt dhe me kryeministrin shqiptar, teksa iu bashkuan edhe mediat ruse që s’lanë protestë e zhvillim pa dhënë live, mediat e fqinjit tonë jugor, të interesuar për të mos pasur investime në turizëm në Sazan e Zvërnec, për shkak konkurrence, si dhe patriotët e hapësirës mbarëshqiptare! Të gjithë të shqetësuar për fatet e territorit shqiptar, dhe ku me një qeleshe në kokë dhe një flamur krahëve, nxituan për të bërë plazh paradite dhe për t’i dalë zot vatanit pasdite!
Protesta ditë pas dite kaloi nga një lëvizje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura në bregdetin shqiptar, në një lëvizje thellësisht politike, me kërkesa që ndryshonin çdo ditë, por me vetëm njërën në krye të listës së kërkesave që nuk lëvizte, dorëheqjen e Ramës! Pastaj u kalua në kërkesa të tjera që anonin tërësisht drejt absurdit, që nga ajo për zhdukjen e kapitalit në huaj nga Shqipëria, lufta ndaj investimeve në Shqipëri, e deri tek kërkesat absurde për zhbërjen jo vetëm të klasës politike por dhe të tërë sistemit, për të kaluar në epokën parapolitike të para Athinës së lashtë, që përkon me epokën e ‘gurit’! Pra zhdukjen e votës, ngritjen e Kuvendeve fantazmë me njerëz fantazmë e program fantazmë, për ta implementuar sipas tyre, në Shqipëri, vendin që është vetëm një hap larg integrimit në BE! Ndërsa është vend anëtar i NATO-s që prej vitit 2009!
Dhe për 44 ditë me radhë protesta ka vazhduar pa u ndalur, herë me një ‘amplitudë’ të fortë përplasjeje si në rastin e dhunës së ushtruar ndaj policisë para Kuvendit si dhe përndjekjen e deputetëve të PS nga këta “çerrat” marksistë të Qorit, me kërcënime për ‘plumb ballit’ ndaj Ramës dhe elitës politike aktuale e filmave me “Avni Rustemë”, e deri tek përfshirja e islamit politik me mendje e zemër në Teheran. Ku shembulli konkret ishte pjesëmarrja e Ikballe Huditit, e cila u shpall non grata’ nga shteti shqiptar për 15 vite, si dhe ‘vezullimi’ i plotë në gati gjysmën e protestës të përfaqësuesve të islamit radikal të xhamive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe këta të Rrugës së Kavajës në Tiranë, të cilët kishin ardhur me shpresë se në bashkupunim me neomarksistët të përsërisnin në Tiranë, revolucionin e Ajatollahëve në Iran të vitit 1979!
Dhe protesta këto ditët e fundit arriti maksimalen e vet të luftës tashmë kundër vetë shtetit, me sulmin ndaj biznesveve përmes review të rreme, duke ulur numrin e yjeve për të gjitha ato biznese që kishte inat grupi organizator i protestës, duke sjellë deri ndërhyrjen e vetë kompanisë ‘Google’ për t’i fshirë dhe rikthyer tërë vlerësimet në kuotat e mëparshme! Kjo luftë e ‘yjeve’, tashmë është përcjellë në organet e drejtësisë, përmes denoncimeve të pronarëve të bizneseve, megjithëse për hir të së vërtetës janë pak 15 denoncime në polici, duke e rritur pafundësisht ‘marzhin’ e reagimit privat në fund të herës! Rrezikuar mundin e një jete të tërë tëbiznesit këta gjobënës dhe terroristë dixhitalë, të cilët akuzohen se kanë vepruar në mënyrë të koordinuar e selektive për të shkatërruar bizneset më të mëdha dhe për ta dërguar vendin në kolaps!
Ajo që është vënë re, është evidentuar dhe nga analistë të dedikuar për sondazhet në të tilla raste, është se protesta është bjerrur ditë pas dite, duke humbur jo vetëm bukurinë dhe performancën pozitive të ditëve të para, paqësore, me simbolika zogjsh dhe elementë të tjerë dekorativë, që ndryshonin kryekëput nga këto protesta e Berishës për 13 vite me radhë. Kjo protestë ka humbur edhe thelbin e saj për të cilin nisi, atë për mbrojtjen e Flamingove, ka humbur reagimin qytetar për hallet e njerëzve dhe ditë pas dite u dominua nga gjuha e fortë politike, dhuna verbale dhe në rrjetet sociale ndaj qytetarëve që mendonin ndryshe e deri tek kërcënimi me burg për të gjithë ata që shkonin në koncertin e këngëtarit Kanye West!
Po pse revolucioni “Flamung’ e humbi betejën e nisur para 44 ditësh, përballë qeverisë por dhe qytetarëve shqiptarë, aq sa tashmë është katandisur të mbahet jo më me gjeneratën ‘Z’ por me moshën e tretë “Zh”, dhe ku në podiumin e improvizuar natë pas nate niveli i atyre që flasin po bie me shpejtësi, teksa dëgjojmë e shohim turli deliranti të cilit i është mbushur mendja si Nastradiniut, se ‘kunji’ ku ka lidhur gomarin e tij, është qendra e botës, apo personave që janë betuar se deri në fund të protestës do të gjejnë burrë, por dhe borxhlinjve që çojnë mesazhe se do të marrin borxhet e tyre, apo biznesmenë dhe lojtarë të fortë kazinosh që kanë taksa për të paguar apo borxhe për paguar e ku halli i ka katandiur që të sulmojnë dhe bizneset, për të ‘vjelur’ gjobat e rastit?! Përfshirë këtu dhe delirantë që donin të qeverisnin me Kuvende!
Në krye të herës kjo protestë nisi dhe u bitis pa asnjë strategji se çfarë do të bëjë pasi të arrihet njëfarë kohe demonstrimi në bulevard! Vendosja e një ‘steke’ tepër të lartë nga ana e grupit negociator, dorëheqjen e Ramës, ishte një veprim i qëllimshëm i tyre për të mos u ulur në negociata! Nuk kishin asnjë përfitim me sa duket, pasi përfitimi kishte arritur që para se të niste protesta! Të paktën për disa prej tyre, atyre kryesorëve! Dhe kjo solli edhe mbajtjen sekret të anëtarëve realë të grupit organizator, duke ekspozuar qëllimshëm në krye të protestës një ish person të guidës turistike, që as qeleshja nuk i bëri derman, por dhe ish persona të tjerë anonimë, të cilët në tërë jetën e tyre private apo në profesionet e tyre nuk kanë qënë asnjëherë ‘rentabël’, por parazitë të përjetshëm apo siç quhen në zhargonin e përditshëm, ‘vemje’!
Në rënien e protestës qytetare një ndikim të fortë pati edhe përzierja e ‘pasdoranëve’ të Berishës, të cilët i dhanë ‘pigmentin’ e dhunës protestës, duke trembur pikërisht qytetarët që kishin dalë me familjet e tyre për të mbështetur këtë lëvizje në bulevard! Berisha tani e ka marrë në dorë drejtimin e protestës dhe me njerët e tij i jep turmës drejtimin që do, herë drejt aeroportit ‘Nënë Tereza’, herë drej Parlamentit, herë drejt policisë apo institucioneve të tjera për t’i bllokuar ato! Bashkë me të dhunshmit e Berishës, në protestë dhanë kontributin e tyre për ta shuar plotësisht atë dhe neomarksistët e Qorit, ata që nuk u bënë kurrë të Lapajt, këta të pamundurit e Gones që vdes për pak kandidat për kryeministër si dhe krerë të tjerë të partive fantazma që as robt e shtëpisë së tyre nuk i kanë votuar kurrë!
Një rol të fortë në humbjen e betejës së ‘revolucionit Flamung’ kanë pasur këta të dërguarit e Vetëvendosjes së Albin Kurtit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët bashkë me islamin politik të Kosovës dhe RMV, i dhanë atë ‘pigmentin’ e atij 40 përqindshit që Kurti në dekalogun e tij para se të vinte në pushtet i kishte pikëtuar si ‘idiotët’ e dobishëm që duheshin synuar dhe përfshirë në VV për të ardhur në pushtet! Duke qënë se Shqipëria nuk është Kosova, që mund ta sygjestionohet nga Albini, i cili andej kufirit merr votën thjeshtë e vetëm për inat të çlirimtarëve nga ky kontigjent, pavarësisht se e dinë se nuk qeveris po vetëm bën ‘sadaka’ me paratë e shtetit, madje dhe korrupsion të nivelit të lartë, njerëzit e Kurtit shkatërruan tërë protestën qytetare të Tiranës, duke larguar njerëzit me mendje normale nga bulevardi! Nuk ngjallin frymëzim në Shqipëri Elvis Hoxha dhe Hysamedin Ferraj, ‘mentorët’ marksistë dhe të islamit politik nga Tirana të Kurtit. Kishin bërë hajr në Shqipëri, bashkë mr Dejonën, të ishte ndryshe!
Përfshirja e axhendave të islamit radikal, të interesave të forta të vendeve fqinje dhe të vendeve jomike dhe armike në këtë protestë, solli dhe ftillimin e qytetarëve që kishin dalë për arsye normale për të protestuar ndaj qeverisë e për pasojë dhe brakstisjen e protestës prej tyre! Ata kishin dalë për hallet e tyre në protestë, jo për të sjellë në Tiranë radikalët islamikë, maoistët apo marksistët e gjithë botës që ta kthenin Tiranën në shesh për betejat e tyre anti- Trump dhe anti-SHBA, duke tentuar për të na zhytur sërish me duart tona në greminën e e rënies së shtetit!
Por vulën rrënimit të protestës qytetare në Tiranë me sa duket ia vunë këta terroristët dixhitalë në luftën kundër bizneseve që nuk ishin në mbështetje të protestës, apo dhe të atyre që kishin inat, duke tentuar rrëzimin e tërë ngrehinës së biznesit në Shqipëri, të cilët mbajnë me taksat që paguajnë arkën e shtetit, dhe me të punësuarit mbajnë me bukë mijëra familje shqiptare! Të cilat ishin në prag të kolapsit, thjeshtë dhe vetëm pse disa të idhnuar me jetën e tyre por dhe me botën përreth, pse disa të ekzaltuar që delironin çdo ditë, por dhe disa ustallarë bankierë që qëndronin pas tyre, kishin shënjestruar bizneset më të mëdha në vend për t’u bërë gropën! Duke shtuar këtu dhe disa panelistë, të cilët që nga viti 2017 me këshillat ndaj opozitës shkatërruan këtë opozitë duke e futur në bojkot, dorëzim mandatesh dhe procese dhune ndaj institucioneve, panelistë të cilët edhe sot bëjnë thirrje për dhunë! Vetë qëndrojnë larg në fakt!
Ka dhe arsye të tjera, përfshirë këtu dhe lodhjen e këtyre njerëzve të cilët kanë dalë për 44 ditë në bulevard, në një protestë pa kokë, pa këmbë dhe pa asnjë strategji se çfarë do të arrihet. Qytetarët kanë parë se nuk mund të japë dorëheqjen një kryeministër me 86 mandate deputeti në Kuvendin me 140 deputetë, kryeministri që po çon me shpejtësi Shqipërinë drejt BE, që vitin e ardhshëm pret Samitin e NATO-s dhe vetë presidentin Trump, thjeshtë e vetëm që 4-15 mijë njerëz sipas pjesëmarrjes kërkojnë në shesh largimin e tij. Pra “ik ti që je votuar nga 860 mijë shqiptarë, se dua të vij unë pa votë, por me short, me letër me vrimë’! Ka ndryshuar Shqipëria njerëz!
Me sa duket, protesta do të vijojë për inerci, duke u shuar ditë pas dite nën moton ‘jemi që jemi, të bëjmë dhe pak dëm, sa të shkojë’! Nuk ka asnjë qëllim për të arritur ndonjë gjë, thjeshtë të prishet ndonjë punë me integrimin, pa mundur t’ia arrijnë, t’u nxijnë jetën qytetarëve të Tiranës, që tashmë kanë nisur të urrejnë dhe qeleshen e vet të traditës, apo bizneseve, si dhe nxitjen e linçimit të kujtdo që nuk është me mendjen e tyre! Të shohim! Beteja e “Revolucionit Flaming’ është mbyllur! Tani ka vetëm ‘kryengritjen e armatosur dhe paqësore’ të Berishës në sfond!



