Avdullah Hoti: Kosova po mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në.
“Ndërsa, fqinji verior i Kosovës e nis këtë të premte raundin e parë të këtij dialogu me SHBA-në”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Hoti ka thënë se po ashtu, Kosova, ka refuzuar të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet të shpërndahet gazi amerikan, i cili ka për qëllim uljen e varësisë nga gazi rus të vendeve të rajonin dhe më gjerë.
“Në të njëjtën kohë, fqinji verior i Kosovës tashmë ka hyrë në marrëveshje të mëdha kontraktuale energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan. Nëse vazhdon kjo qasje, Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike”, ka shkruar Hoti.



