Çitaku pas deklaratës së ministres serbe për “spastrim etnik”: Kosova nuk u gjunjëzua atëherë, nuk do të gjunjëzohet kurrë

14 korrik 2026 | 16:57

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së një ministreje të Qeverisë së Serbisë, duke thënë se ajo dëshmon se Serbia ende nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale.

Sipas Çitakut, deklarata se Serbia është dashur ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998 tregon se ideologjia që prodhoi krime lufte dhe dëbime masive vazhdon të jetë e pranishme në institucionet serbe.

Ajo theksoi se, megjithëse Serbia kishte epërsi ushtarake gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kosova nuk u mposht.

“Në vitin 1998 e 1999, Serbia ishte shumëfish më e madhe, më e armatosur dhe më e fuqishme ushtarakisht. Ne ishim pala më e dobët në armë, por jo në shpirt. Humbëse nuk ishte Kosova. Sepse nuk ka forcë më të madhe se zemra e një njeriu që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për lirinë. Nuk ka ushtri që e mposht vullnetin e një populli që ka vendosur të jetojë i lirë. Kosova nuk u gjunjëzua atëherë. Nuk do të gjunjëzohet as sot. As nesër. As kurrë”, ka shkruar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje ushtrueses…