FC Drita eliminohet nga Liga e Kampionëve
Kampionia e Kosovës, FC Drita, e ka përfunduar rrugëtimin në UEFA Champions League, në raundin e parë kualifikues, pasi u mposht nga kampionia e Lituanisë, Kauno Zalgiris, me rezultat 3:2, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas barazimit 1:1 në takimin e parë, sfida e kthimit ishte tejet e luftuar dhe me kthesa në rezultat, ku fituesi u vendos vetëm në minutat e fundit, kur mysafirët realizuan golin e fitores nga pika e bardhë.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Vykintas Slivka në minutën e 9-të. Drita barazoi përmes Igball Jasharit, në minutën e 21-të, teksa në minutën e 53-të kaloi në epërsi me golin e Arb Manajt.
Por mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutat e fundit përmbysën rezultatin me golat e Vykintas Slivka (82’) dhe Amine Benchaib (94’) nga penalltia.



