Trump ndryshon qëndrim për tarifën prej 20% në Ngushticën e Hormuzit

14 korrik 2026 | 19:26

Presidenti amerikan Donald Trump të martën ndryshoi qëndrim lidhur me vendosjen e një tarife rimbursimi prej 20% mbi ngarkesat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se ajo do të zëvendësohet me investime nga shtetet e Gjirit në Shtetet e Bashkuara, raporton CNN.

Trump kishte njoftuar të hënën se kjo tarifë do të mbulonte koston e sigurisë së ofruar nga SHBA-ja në këtë korridor jetik për transportin e naftës.

“Në bazë të bisedimeve shumë produktive me udhëheqësit e Lindjes së Mesme, kam vendosur ta zëvendësoj Tarifën e Rimbursimit prej 20% për Shtetet e Bashkuara me marrëveshje tregtare dhe investimesh që shtetet e ndryshme të Gjirit do të bëjnë në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Trump në Truth Social, pak çaste para se të pritej të takohej në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Irakut.
Zyrtarë të administratës Trump kishin vënë më parë në pikëpyetje realizueshmërinë dhe ligjshmërinë e vendosjes së tarifave në rrugët ujore ndërkombëtare.

“Është një rrugë ujore ndërkombëtare. Asnjë vend nuk lejohet të vendosë tarifa ose pagesa në një rrugë ujore ndërkombëtare. Ky është ligji ekzistues ndërkombëtar”, kishte thënë muajin e kaluar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Edhe zëvendëspresidenti JD Vance kishte theksuar se qëndrimi i administratës ishte se “rrugët ujore ndërkombëtare duhet të jenë pa tarifa”.

Edhe vetë Trump kishte deklaruar më herët se SHBA-ja dëshironte që ngushtica të ishte “e lirë”.

“Ne duam që ajo të jetë e hapur. Ne duam që të jetë e lirë. Nuk duam tarifa. Është ndërkombëtare. Është një rrugë ujore ndërkombëtare”, kishte thënë Trump në maj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi…