Vajza e Gani Kocit falënderon donatorët: ‘Kur babai ynë kishte më së shumti nevojë, njerëzit nuk e zhgënjyen’

14 korrik 2026 | 20:35

“Të dashur familjarë, miq dhe njerëz që nuk i kemi takuar kurrë,

Nuk e di nëse ekzistojnë fjalët e duhura për t’ju falënderuar. Sa herë ulem të shkruaj, më duket sikur çdo ‘faleminderit’ është shumë i vogël për atë që keni bërë për ne.

Babooshki im gjithë jetën e tij i ka shërbyer vendit dhe njerëzve të vet. Ka dhënë vitet më të bukura, duke besuar se një ditë e mira do t’i kthehej. Fatkeqësisht, kur erdhi koha që ai kishte më së shumti nevojë për ndihmë, shteti nuk ishte aty. Por ishit ju.

Ju… njerëzit.

Miq, familjarë, bashkatdhetarë, njerëz që na njihnin prej vitesh, por edhe njerëz që nuk na kishin takuar kurrë në jetë. Secili prej jush vendosi të bëhej pjesë e betejës së babit tim. Dikush dhuroi 5 euro, dikush 5.000. Për ne, vlera nuk u mat kurrë me shumën. U mat me zemrën që e shoqëroi atë ndihmë.

Çdo donacion në GoFundMe, çdo ndihmë jashtë saj, çdo shpërndarje, çdo telefonatë dhe çdo lutje na dhanë forcë kur mendonim se nuk kishim më.

Kam lexuar një thënie që thotë se: “Shpresa është e vetmja gjë më e fortë se frika.” Ju u bëtë pikërisht ajo shpresë për familjen tonë. Kur ne shihnim vetëm errësirë, ju na kujtuat se ende ka shumë njerëz të mirë në këtë botë.

Në emër të babooshkit, mamit, motrave të mia, vëllait dhe nipit tonë, ju falënderojmë me gjithë zemër.

Faleminderit që na besuat.

Faleminderit që nuk e latë babin dhe ne ta luftonim vetëm këtë betejë.

Faleminderit që na dhatë shpresë në ditët kur kishim më së shumti frikë.

Do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar për çdo hap të trajtimit dhe, me dëshirën më të madhe, mezi presim ditën kur t’ju japim lajmin që çdo familje ëndërron ta dëgjojë: se kjo luftë u fitua.

Lutja ime më e sinqertë është që Zoti t’ju japë secilit shëndet, lumturi, paqe në familje dhe t’jua kthejë shumëfish çdo të mirë që keni bërë për ne. Uroj që të mos kaloni kurrë nëpër një sfidë të tillë, por, nëse jeta ju vendos ndonjëherë përballë saj, uroj të gjeni pranë vetes po aq zemra të mira sa gjetëm ne.

Kjo fushatë do të mbyllet, por mirënjohja jonë nuk do të mbarojë kurrë.

Do ta mbajmë mend gjithë jetën se, në ditën kur babi ynë kishte më së shumti nevojë për njerëzit e tij… njerëzit nuk e zhgënjyen.

Nga zemra, faleminderit secilit prej jush. ❤️🫂🙏🏻”/epoka e re/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stacioni Policor në Gjakovë, nën udhëheqjen e Komandantit të Stacionit…