Një kujtim personal i besimit në Rrugën Lirisë
Nga Arianit Bytyçi
Sot ndaj me ju një videostory personale: nga viti 1992 deri në 1998-1999, nga bankat e shkollës fillore “Ismail Qemali” te gjimnazi “Xhevdet Doda” i Prishtinës.
11 vjeç, nën okupim e represion serb, thashë para kamerës: “Ne nuk do të gjunjëzohemi para askujt!” Besonim në Republikën e Kosovës, edhe pse ende askush s’e njihte.
Gjashtë vjet më vonë, si maturantë, ai besim ishte kthyer në bindje politike të pjekur: ishim brezi që besoi se pa UÇK-në në tryezën e bisedimeve s’kishte zgjidhje të drejtë për Kosovën, dhe se pavarësia ishte i vetmi përfundim i drejtë e i qëndrueshëm.
Vetëm vazhdimi i luftës çlirimtare mund të na çlironte nga Serbia – jo projektet e huaja për “zgjidhje” brenda kufijve serbë.
Këto nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi.
Vlerat e lirisë dhe të luftës sonë çlirimtare janë të shenjta. Vlerat e UÇK-së dhe bartësit e luftës nuk duhet të lejohet t’i nënshtrohen asnjë linçimi publik të askujt për interesa ditore partiake.
Sot, ndërsa në Hagë vazhdon gjykimi ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, besoj po aq fort sa në 1992 e në 1998: në drejtësinë e luftës sonë, në vizionin e UÇK-së për liri e pavarësi. Padrejtësia e sotme s’e fshin të vërtetën historike.
UÇK-ja do të dalë sërish e pafajshme. E vërteta do të triumfojë.
Historia jonë e lirisë nuk mund të rishkruhet.



