Hamza paralajmëron ankesë në Kushtetuese, thotë se Haxhiu s’ia dekretoi PDK-së dy anëtarë në KQZ
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretimin e Rashit Qalajt si përfaqësues të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha për KosovaPress se partia do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi pretendon se i takojnë dy anëtarë në KQZ dhe se anëtari i dytë nuk është dekretuar.
Hamza ka thënë se përfaqësuesi i propozuar nga PDK-ja nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se përgjegjësia, sipas tij, qëndron te mosdekretimi.
“Nëse e ka shkel dikush Kushtetutën, e ka shkelë ai që e ka shkelë. Anëtari ynë s’ka bë asnjë shkelje. Ne, përkundrazi, neve na takojnë dy anëtarë në KQZ dhe për këtë punë do ta referojmë rastin në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin edhe të anëtarit të dytë nga radhët e PDK-së”, tha Hamza.



