Marrëveshja VV-LDK për presidentin, Hamza: PDK-ja është unike, s’ka votë për Sejdiun

31 gusht 2026 | 23:31

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të qartë qëndrimin e kësaj partie pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Hamza ka thënë se PDK-ja nuk pret që nga Grupi i saj Parlamentar të ketë vota për Sejdiun, duke e cilësuar grupin si unik në qëndrimin e tij.

“Unë besoj dhe jam i sigurt në këtë se grupi parlamentar i PDK-së është unik, në këtë temë është komplet dhe nuk pres që dikush do të ketë devijim prej qëndrimeve që do t’i ketë Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka përsëritur se PDK-ja nuk është pjesë e marrëveshjes për krijimin e institucioneve dhe se qëndrimi i saj politik mbetet i pandryshuar.

“Sa i përket PDK-së, PDK-ja e ka qëndrimin e qartë se në krijimin e institucioneve nuk është pjesë, përjashtimisht kur është çështja te puna e nënkryetarit”, ka thënë ai.

I pyetur për marrëveshjen VV-LDK, Hamza ka thënë se dy partitë matematikisht i kanë numrat për ta kaluar kandidaturën e Sejdiut, por ka vënë në pikëpyetje nëse do të jenë të gjithë deputetët e tyre të pranishëm dhe do të votojnë.

“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk ka qëndrim për kandidatin e propozuar, pasi nuk është propozim i saj, ndërsa ka shtuar se Bekim Sejdiu nuk është figurë e panjohur për këtë parti.

“Nuk kemi ndonjë qëndrim për shkak se nuk është propozim i yni. E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve”, ka thënë Hamza.

Hamza ka theksuar se PDK-ja do të vazhdojë ta luajë rolin e saj në opozitë, duke deklaruar se partia do të ketë kritika dhe qëndrime për veprimet e pushtetit, por edhe alternativa dhe përkrahje për iniciativat që i konsideron në interes të vendit.

Ndërkohë, LVV-ja dhe LDK-ja janë dakorduar sot për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Mungesa e marrëveshjes për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja po e zgjat krizën politike në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 220 kërkesa, por vetëm 80 ulëse në galerinë e…