Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: Deklarata e ministres Paunoviq dëshmon edhe njëherë qëllimin gjenocidal të politikës serbe
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq (Snežana Paunović) se nëse do të kishte qenë në vend të Millosheviqit, në vitin 1998 do të realizonte “etničko čišćenje” në Kosovë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka theksuar se kjo deklaratë shpërfaq edhe njëherë qëllimin gjenocidal të politikës serbe.
“Kjo deklaratë ngjalli një shqetësim të madh të të gjithë shqiptarëve, sepse ajo edhe njëherë preku plagën tonë të hapur. Kjo deklaratë nuk shpërfaq vetëm synimin për të dëbuar shqiptarët nga Kosova, siç nënkupton nocioni “spastrimin etnik” i përkthyer fjalë për fjalë në mediat tona, por çështja është më e thellë. Nocioni “spastrimi etnik” dallon nga “etničko čišćenje” sepse “etničko čišćenje” (etniçko çishqenje) serbe nuk ka të bëjë me dëbimin e popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, por bëhet fjalë për një kornizë programore gjenocidale në kuadër të së cilës përdoren “masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe mjete të tjera me qëllim të shkatërrimit të Myslimanëve, kroatëve dhe shqiptarëve si të tillë dhe realizimin e “higjienës etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe”, thuhet në reagimin e kësaj qendresa.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” përshëndet vendimin e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që ta shpallë person non grata, Snezhana Paunoviqin dhe e konsideron si vendim tërësisht të drejtë kundër të gjithë atyre që jo vetëm mohojnë gjenocidin që kanë kryer forcat serbe në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, por me interpretimet e tyre të së kaluarës përpiqen të nxisin kthimin e kriminelëve në vendin e krimit.
“Të gjithë të interesuarve për dallimin e nocionit “spastrimi etnik” nga ai i “etničko čišćenje”-s, ju ftojmë të lexoni pjesën e librit në dorëshkrim: “Krimi i gjenocidit-Aspekte teorike dhe studime rasti” të autorit Bardhyl Mahmuti”, thuhet në reagimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Reagimi i plotë: 👇
https://kosovogenocide.com/etnicko-ciscenje-serbe-kornize-programore-gjenocidale/



